Rama në Seul: Shqipëria dikur “Koreja e Veriut të Evropës”, sot po ecën në rrugën drejt BE-së


E mërkurë, 20 Maj 2026
Rama në Seul: Shqipëria dikur “Koreja e Veriut të Evropës”, sot po ecën në rrugën drejt BE-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Shqipëria ishte “Koreja e Veriut të Evropës” dhe sipas tij sot po ecën në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE).

Në kuadër të vizitës në Korenë e Jugut, Rama ka marrë pjesë në ceremonisë e hapjes së Konferencës Aziatike të Lidershipit, nën moton “Jashtë turbullirave – drejt një ekuilibri të ri”.

Në fjalën e tij, Rama ka theksuar se po tregojnë se institucionet demokratike mund të ndërtohen edhe kur historia thotë se është e pamundur dhe se “një vend dikur kufizuar nga izolimi mund të përkufizohet nga aspirata”.

“Një Kore u shndërrua në simbolin e ripërtëritjes përmes hapjes, demokracisë së qëndrueshme dhe novacionit. Tjetra u kthye në emblemë të territ përmes izolimit, sundimit të forcës dhe frikës. Ky për mua nuk ka qenë kurrë veç një mësim abstrakt, sepse përgjatë një kapitulli të dhimbshëm të historisë së saj, Shqipëria ishte ‘Koreja e Veriut të Evropës’ e megjithatë sot ajo po ecën në një tjetër rrugë. Një rrugë jo e lehtë, e papërsosur natyrisht, por thelbësisht ndryshe. Një rrugë ndërtimi institucionesh, modernizimi demokratik, një rrugë drejt Bashkimit Evropian”, tha Rama.

Rama është shprehur se Organizata e Vendeve të Azisë Juglindore nuk lindi nga njëshmëria, lindi nga kuptimi se bashkëpunimi është më i fuqishëm sesa përballja dhe se në fund të fundit, pragmatizmi sfidon ideologjinë.

Kryeministri Rama shtoi se gjendet në Seul, jo si një njeri që jep leksione, por sipas tij “si dikush që ende po mëson, mëson nga Koreja, mëson nga shembulli i saj”.

Sipas Kryeministrisë së Shqipërisë, Konferenca Aziatike e Lidershipit, është një platformë me ndikim global për shkëmbimin e ideve, forcimin e besimit dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes vendeve dhe brezave të ndryshëm.

Kryeministri Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Republikën e Koresë së Jugut, ndërkohë është takuar me kryeministrin Kim Min-seok, ku në fokus ishin diskutimet mbi marrëdhëniet mes dy vendeve në disa fusha.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit