E mërkurë, 20 Maj 2026

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka bërë të ditur se Komisioni Evropian në kuadër të Instrumentit të Reformës dhe Rritjes po vë në dispozicion 65,7 milionë euro për vendin.
“Komisioni Evropian njoftoi se po vë në dispozicion 65,7 milionë euro për vendin tonë, që është shuma më e lartë në rajon, krahasuar me 49 milionë euro për Shqipërinë dhe 44,2 milionë euro për Malin e Zi”, shkroi Mucunski në rrjetet sociale.
Sipas tij, ky është një konfirmim i qartë i angazhimit të fortë të qeverisë ndaj “reformave, përmbushjes së detyrimeve nga Plani i Rritjes dhe zbatimit të vlerave dhe standardeve evropiane në nivel të brendshëm”.
“Në të njëjtën kohë, është një njohje e qasjes serioze, kapacitetit institucional dhe progresit të reformave të vendit”, shtoi ai.
Sipas informacionit zyrtar të publikuar nga Komisioni Evropian, fondet janë miratuar në kuadër të Instrumentit të Reformës dhe Rritjes, pas një vlerësimi pozitiv të hapave të reformave të zbatuara.
Nga totali i miratuar prej 65,7 milionë eurosh, 30,6 milionë euro do të transferohen direkt në buxhetin e shtetit, ndërsa fondet e mbetura do të vihen në dispozicion për projekte investimi përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
