E enjte, 28 Maj 2026

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lëshuar një kërcënim të ashpër ndaj Omanit, duke u shprehur se vendi i Gjirit “të sillet mirë” ose do të përballet me sulm nga SHBA-ja, transmeton Anadolu.
“Omani do të sillet mirë si gjithë të tjerët ose do të na duhet t’i hedhim në erë. Ata e kuptojnë këtë. Do të jenë mirë”, tha presidenti amerikan gjatë një mbledhjeje të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë.
Nuk është e qartë se çfarë e çoi Trumpin të bëjë deklaratën ndaj Omanit. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Omani më parë ka shërbyer si ndërmjetës kyç mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa raportet e fundit sugjerojnë se ai po punon me Iranin për krijimin e një sistemi tarifimi për anijet që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, një kërkesë kyçe e Teheranit në kuadër të negociatave për t’i dhënë fund luftës që SHBA-ja dhe Izraeli nisën më 28 shkurt.
Një enklavë e Omanit ndodhet në skajin jugor të ngushticës, përballë drejtpërdrejt me Iranin përgjatë kësaj rruge strategjike ujore.
Trump tha se ngushtica është “ujëra ndërkombëtare dhe askush nuk do ta kontrollojë”, por shtoi se SHBA-ja “do ta mbikëqyrë”.
“Kjo është pjesë e negociatave që kemi. Ata do të donin ta kontrollonin. Askush nuk do ta kontrollojë”, tha ai.
Më herët, duke komentuar gjendjen e negociatave për përfundimin e luftës, Trump tha se “nuk është i kënaqur me to, por do të jemi”.
“Ose kështu ose do të na duhet thjesht ta përfundojmë punën”, shtoi ai.
Sipas tij, Irani “po fillon të na japë gjërat që duhet të na japë”.
“Irani është shumë i vendosur, ata duan shumë të arrijnë marrëveshje, por deri tani nuk ia kanë dale. Po negociojnë me vështirësi. Do të shohim çfarë do të ndodhë. Ndoshta duhet të kthehemi dhe ta përfundojmë. Ndoshta jo”, tha ai.
Teksa zyrtarët në SHBA dhe më gjerë janë shprehur me optimizëm të kujdesshëm për finalizimin e një marrëveshjeje, janë shtuar pyetjet nëse ajo do të prekë rezervat iraniane të uraniumit të pasuruar.
I pyetur nëse do ta pranonte mundësinë që Kina ose Rusia të merrnin materialin bërthamor, Trump tha: “Jo, nuk do të ndihesha rehat. Kjo nuk do të më bënte të ndihesha rehat”.
Tensionet rajonale u përshkallëzuan më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme të befasishme ndaj Iranit, duke nxitur Teheranin të kundërpërgjigjej me breshëri dronësh dhe raketash që goditën objektiva në të gjithë rajonin, ndërsa Irani mbylli Ngushticën e Hormuzit.
Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, por bisedimet në Islamabad nuk arritën të prodhonin një marrëveshje të qëndrueshme.
Trump më pas e zgjati armëpushimin pa afat, ndërsa vazhdoi bllokadën ndaj anijeve që udhëtonin drejt ose nga portet iraniane përmes kësaj rruge strategjike detare, duke deklaruar herë pas here se një marrëveshje paqeje ishte afër.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
