E enjte, 28 Maj 2026

Mijëra haxhilerë myslimanë kanë vazhduar të mërkurën ritualet e Haxhit mes Minës dhe Mekës, në kuadër të ditës së Kurban Bajramit, ndërsa autoritetet saudite thanë se organizimi po zhvillohet pa probleme.
Haxhilerët nisën ritualin e gjuajtjes së gurëve në kompleksin Xhemarat në Mina, duke simbolizuar refuzimin e tundimeve të shejtanit nga Profeti Ibrahim. Ata hodhën gurë në Xhemretul Akabe, shtylla më e madhe në kompleks, para se të vazhdonin me therjen e kurbanit, prerjen ose rruajtjen e flokëve dhe tavafin e ifadas në Qabenë në Mekë.
Sipas Qendrës Kombëtare të Meteorologjisë në Arabinë Saudite, temperaturat arritën deri në 44 gradë Celsius, por lëvizja e haxhilerëve u zhvillua në mënyrë të organizuar dhe të kontrolluar.
Shumë haxhilerë vlerësuan organizimin e këtij sezoni të Haxhit. Haxhilerë nga India dhe Iraku thanë për mediat se shërbimet dhe organizimi kanë qenë në nivel të lartë dhe se nuk kanë hasur vështirësi gjatë qëndrimit të tyre.
Tavafi i ifadas, një nga shtyllat kryesore të Haxhit, përfshin rrotullimin shtatë herë rreth Qabesë në Xhaminë e Madhe në Mekë. Pas këtij rituali, haxhilerët do të vazhdojnë qëndrimin në Mina gjatë ditëve të Teshrikut, ku do të kryejnë gjuajtjen e tri xhemrateve, para se ta përfundojnë Haxhin me tavafin lamtumirës.
Autoritetet saudite thanë se ura moderne e Xhemaratit, e ndërtuar për menaxhimin e turmave, ka ndihmuar në lëvizjen e sigurt të haxhilerëve. Kompleksi ka kapacitet mbi 300 mijë haxhilerë në orë dhe është i pajisur me shkallë lëvizëse, sisteme ftohjeje dhe monitorim të avancuar.
Ndërkohë, Ministria saudite e Tregtisë njoftoi se në vendet e shenjta ka furnizime të mjaftueshme me produkte bazë. Që nga fillimi i muajit Dhul Hixhxhe janë shpërndarë mbi 622 milionë produkte ushqimore dhe të konsumit, përfshirë ujë, bukë, produkte qumështi dhe akull, për nevojat e haxhilerëve. /mesazhi
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
