E enjte, 28 Maj 2026

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Kuba është në “shumë telashe” mes tensioneve në rritje me SHBA-në, transmeton Anadolu.
“Kuba është në shumë telashe sepse, fatkeqësisht për ta, ajo drejtohet nga një grup komunistësh të paaftë”, theksoi ai gjatë një mbledhjeje të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë.
“Vendi është marrë nën kontroll nga kjo kompani e quajtur GAESA, e cila në thelb kontrollon 70 për qind të ekonomisë. Asnjë nga paratë e asaj kompanie nuk shkon për të ndihmuar popullin kuban, asnjë. Kështu që do të flasim me ta, do të punojmë për këtë. Ne duam diçka të mirë për popullin kuban dhe shpresojmë që të ketë një rezultat të mirë për ta”, tha Rubio.
Ai iu referua kompanisë Grupo de Administracion Empresarial S.A (GAESA), një konglomerat biznesi në pronësi të ushtrisë kubane, që ka qenë në qendër të kritikave të sekretarit Rubio.
Kuba është përballur me mungesa të rënda karburanti dhe ndërprerje të gjera të energjisë elektrike që kur SHBA-ja vendosi embargo ndaj naftës më 30 janar.
Më herët, Rubio ka tentuar të mohojë ekzistencën e embargos, por një urdhër ekzekutiv i nënshkruar nga presidenti amerikan, Donald Trump, më 29 janar kërcënoi qartë me vendosjen e tarifave amerikane ndaj çdo vendi “që drejtpërdrejt ose tërthorazi shet ose furnizon me naftë Kubën”.
Dje, ministri i Punëve të Jashtme i Kubës, Bruno Rodriguez Parrilla, paralajmëroi kundër politikave amerikane ndaj ishullit. Gjatë një debati të hapur të nivelit të lartë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi “Ruajtjen e qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së dhe forcimin e sistemit ndërkombëtar të përqendruar te OKB-ja”, ai tha se veprimet e Washingtonit po minojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe përbëjnë një “akt lufte” përmes bllokadës energjetike.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
