E enjte, 28 Maj 2026

Koreja e Veriut ka kritikuar thirrjen e ministrave të Jashtëm të SHBA-së, Australisë, Japonisë dhe Indisë për çarmatosjen e saj bërthamore, duke deklaruar se nuk do të heq dorë kurrë nga programi i saj i armëve bërthamore, transmeton Anadolu.
Katër vendet ritheksuan angazhimin e tyre për çarmatosjen bërthamore të Koresë së Veriut në një deklaratë të përbashkët të publikuar të martën pas bisedimeve mes kryediplomatëve të grupit të sigurisë Quad në kryeqytetin e Indisë, New Delhi.
Sipas agjencisë shtetërore koreano-veriore të lajmeve KCNA, një zëdhënës i paidentifikuar i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut tha se çarmatosja bërthamore e vendit “nuk do të ndodhë kurrë”.
“Quad nuk është gjë tjetër veçse një mjet politik dhe diplomatik që i shërben strategjisë së SHBA-së për dominim unipolar”, tha zëdhënësi.
Ministria tha se e dënon me “vendosmëri” atë që e cilësoi si qëndrim armiqësor të grupit Quad dhe i kërkoi grupit të ndalojë veprimet që minojnë paqen dhe stabilitetin rajonal.
Deklarata shtoi se lëvizja e Quad-it për të forcuar bashkëpunimin synon “të justifikojë përpjekjet e Japonisë për riarmatim dhe posedimin nga Australia të një nëndetëseje bërthamore”.
Zëdhënësi tha se Koreja e Veriut do të vazhdojë të mbrojë sovranitetin dhe interesat e saj të sigurisë dhe do të kundërshtojë atë që e përshkroi si aleanca ekskluzive dhe përballje blloqesh në rajon.
Duke komentuar reagimin e Phenianit, një zyrtar i Ministrisë së Unifikimit të Koresë së Jugut tha se Koreja e Veriut prej kohësh e sheh Quad-in si bazë për një version të mundshëm aziatik të NATO-s dhe e ka kritikuar vazhdimisht grupin.
Sipas Seulit, reagimi i Koresë së Veriut këtë vit gjithashtu synonte Japoninë dhe Australinë dhe dukej se mbronte pozicionin e Kinës, ndryshe nga një deklaratë e ngjashme vitin e kaluar që fokusohej kryesisht në kritikat ndaj SHBA-së.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale