Gjermania porosit mbi 2.000 automjete ushtarake transportuese nga “Rheinmetall”


E enjte, 28 Maj 2026
Gjermania porosit mbi 2.000 automjete ushtarake transportuese nga “Rheinmetall”

Forcat e Armatosura të Gjermanisë kanë bërë një porosi të madhe për më shumë se 2.000 automjete ushtarake transportuese nga “Rheinmetall”, pjesë e përpjekjes së Berlinit për të forcuar Bundeswehr-in mes shqetësimeve të shtuara për sigurinë në të gjithë Evropën, transmeton Anadolu.

“Rheinmetall” njoftoi sot marrëveshjen, duke e vlerësuar atë në rreth 1 miliard euro (1.2 miliardë dollarë). Ajo mbulon kamionë logjistikë të pambrojtur në konfigurime të shumëfishta, përfshirë variante 4×4 (3.5 tonë), 6×6 (5 tonë) dhe 8×8 (15 tonë). Dërgesat janë planifikuar të fillojnë në gjysmën e parë të vitit 2026 përmes “Rheinmetall MAN Military Vehicles”, një sipërmarrje e përbashkët me prodhuesin e kamionëve MAN.

Blerja është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë nga qeveria e kancelarit Friedrich Merz për të zgjeruar dhe modernizuar ushtrinë e Gjermanisë. Merz ka bërë thirrje të përsëritura që Gjermania të vendosë “ushtrinë më të fortë konvencionale në BE” dhe të rrisë shpenzimet e mbrojtjes, duke përmendur pasigurinë mbi angazhimet e sigurisë së SHBA-së nën presidentin Donald Trump.

Gjenerali më i lartë i Gjermanisë, Carsten Breuer paralajmëroi më parë këtë muaj se Rusia po rindërton në mënyrë aktive forcat e saj dhe mund të përbëjë kërcënim të rëndësishëm për Perëndimin deri në vitin 2029, duke nënvizuar urgjencën e përmirësimit të gatishmërisë dhe parandalimit.

Burime të Ministrisë së Mbrojtjes thanë se automjetet e reja do të forcojnë aftësinë e Bundeswehr-it për t’u vendosur me shpejtësi dhe për të mbështetur operacionet, duke ndihmuar në adresimin e dobësive të vjetra në logjistikën ushtarake.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit