Presidenti i Këshillit Evropian javën e ardhshme qëndron për vizitë në Ballkanin Perëndimor


E premte, 29 Maj 2026
Presidenti i Këshillit Evropian javën e ardhshme qëndron për vizitë në Ballkanin Perëndimor

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, javën e ardhshme do të zhvillojë një vizitë në Ballkanin Perëndimor, ku do të takohet me liderët e rajonit dhe më 5 qershor do të bashkëkryesojë Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat të Malit të Zi, transmeton Anadolu.

Sipas një njoftimi të Delegacionit të BE-së në Shkup, Costa gjatë turneut do të diskutojë mbi mundësitë dhe sfidat që lidhen me zgjerimin e BE-së, integrimin gradual të rajonit, bashkëpunimin rajonal, si dhe çështjet e sigurisë dhe stabilitetit.

“Turneu im i dytë në Ballkanin Perëndimor dërgon një sinjal të qartë, angazhimi i BE-së ndaj rajonit është real, po aq sa është reale edhe mundësia për zgjerim. Momenti është këtu. Tani është koha për rezultate”, tha Costa.

Vizita e presidentit të Këshillit Evropian do të nisë më 1 qershor në Sarajevë. Më 2 qershor ai do të qëndrojë në Tiranë, ndërsa më pas do të udhëtojë drejt Shkupit, ku do të takohet me kryeministrin Hristijan Mickoski.

Më 3 qershor, Costa do të vizitojë Prishtinën, ndërsa më 4 qershor, do të qëndrojë në Beograd. Turneu do të përmbyllet më 5 qershor në Mal të Zi, ku do të bashkëkryesojë Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat.

Tema qendrore e samitit në Tivat do të jetë “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit