E mërkurë, 3 Qershor 2026

Lufta Rusi-Ukrainë dhe mbyllja e ngushticës së Hormuzit treguan se sigurimi i furnizimit me energji nuk është thjesht çështje zhvillimi, por edhe çështje sovraniteti dhe sigurie kombëtare, tha sot presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, transmeton Anadolu.
Duke folur në një ngjarje për investimet e energjisë së rinovueshme në kryeqytetin Ankara, Erdogan tha se Turqia vuri në përdorim investime me vlerë 5 miliardë dollarë për termocentrale me fuqi 6.818 megavat.
Turqia po bëhet dita ditës më e rëndësishme si qendër rajonale e energjisë, tha ai. Me mbylljen “de fakto” të Ngushticës së Hormuzit, portë për vendet e Gjirit në det të hapur, ndodhi ndërprerja më e madhe e furnizimit me naftë në histori, kujtoi Erdogan.
Ai tha se mbyllja e ngushticës rezultoi në ndërprerjen e afërsisht 25 për qind të furnizimeve globale të naftës dhe 20 për qind të tregtisë së gazit natyror të lëngshëm. Çmimet e naftës, të cilat ishin luhatur rreth 60 dollarë për fuçi, u rritën deri në dyfishin e asaj sasie, rikujtoi presidenti turk.
Sipas tij, bota po përballet me të njëjtat shifra marramendëse jo vetëm në çmimet e LNG-së, por edhe në të gjitha produktet që rrjedhin nga nafta, përfshirë plehrat dhe plastikën.
Duke kujtuar se disa vende kanë zbatuar kufizime të ndryshme, të ngjashme me ato që u panë gjatë pandemisë së COVID-19 për të reduktuar konsumin e energjisë, Erdogan tha se “Shkollat u mbyllën, u vendosën kufizime për automjetet private që hynin në trafik”.
“Ka pasur një numër të konsiderueshëm të anulimeve të fluturimeve. Në pikat e karburantit u krijuan radhë të gjata”, theksoi ai.
Ndërsa çmimet e naftës dhe produkteve me bazë gazi natyror u rritën, inflacioni filloi të rritet në mbarë botën, nënvizoi Erdogan duke shtuar se ndërsa vetëm pak muaj më parë pritej rimëkëmbje ekonomike globale, me zvarritjen e krizës së Hormuzit, shumë vende tani po përgatiten për një recesion.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
