E mërkurë, 2 Shtator 2026

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike, duke thënë se dje nuk është refuzuar ndonjë marrëveshje qeverisëse mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, pasi, sipas tij, një marrëveshje e tillë nuk ka ekzistuar.
Në një reagim të publikuar mëngjesin e sotëm, Abdixhiku ka theksuar se LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në opozitë dhe se të gjithë deputetët e partisë ishin pajtuar me këtë qëndrim.
“Dje nuk u refuzua asnjë marrëveshje qeverisëse me VV-në, sepse një marrëveshje e tillë nuk ekzistonte. LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në OPOZITË. Të gjithë deputetët tanë ishin pajtuar me këtë pozicion”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka akuzuar se ajo që është refuzuar dje ishte zgjidhja për Presidentin e Kosovës, përkatësisht kandidati i propozuar nga LDK-ja.
“Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja”, ka deklaruar ai.
Abdixhiku ka shprehur kritika edhe ndaj atyre që, sipas tij, po e paraqesin këtë zhvillim si sukses, duke paralajmëruar se pasojat do të jenë kryesisht për LDK-në.
“Por siç ju kam thënë në vitin 2020, kur u verbuat dhe sollët LDK-në në 12%; po ju them dhe tani, ky veprim është dëm vetëm ndaj LDK-së”, ka shkruar ai.
Kreu i LDK-së ka thënë se zgjedhjet e reja nuk kanë qenë pjesë e agjendës së partisë dhe as kërkesë e anëtarësisë.
“Zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së. Nuk kanë qenë as kërkesë dhe as vendim i anëtarësisë sonë”, ka theksuar Abdixhiku.
Sipas tij, zgjedhjet e reja kanë qenë prej muajsh pjesë e agjendës së grupeve të tjera politike, të cilat, siç shprehet ai, tashmë po ndikojnë edhe në zhvillimet brenda LDK-së.
Në fund të reagimit, Abdixhiku ka thënë se, pavarësisht zhvillimeve, nuk do të ketë dorëzim.
“Për këtë ndiej vetëm keqardhje! Por jo dorëzim. Jemi shumë. Jemi në të drejtë. E kemi detyrim. Republika megjithatë do të triumfojë!”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, të martën, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Janina Ymeri, Armend Zemaj e Kujtim Shala dolën kundër marrëveshjes që kryetari i këtij subjekti e arriti me Vetëvendosjen për të propozuar Bekim Sejdiun për president.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
