Ahmet Pantina, dëshmori i heroizmave


E mërkurë, 24 Shtator 2014

Tani e gjashtëmbëdhjetë vite më parë, në një mbrëmje kur vendbetejat ishin të mbushura me dashurinë e atyre që e deshën më së shumti Kosovën, ra heroikisht Ahmet Alush Pantina. Andaj, edhe pas gjashtëmbëdhjetë vitesh e ndiejmë nevojën që duke e kujtuar këtë të kaluar me zjarret e heroizmave, të shfaqim respektin tonë që kemi për kolosët që e shkruan faqen më të ndritshme të historisë sonë.

Shkruan: Imer Pantina

Ahmet Pantina frymëzimet e para i mori nga familja e tij. Ai pjesëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte pasur rastin t’i njihte falë prindit të tij, Alushit, i cili njëherësh ishte prej themeltarëve të UÇK-së.

Duke qenë në dijeni për ngjarjet e mëdha që përgatiteshin në sferën e luftës guerile të UÇK-së, ai merr përgjegjësi në bartje armësh dhe mbajtje kontaktesh dhe porosish. Kjo e kishte e përgatitur që ta dinte se nga cili burim duhej ta ushqente atdhedashurinë e tij, çfarë i duhej atdheut – lufta apo heshtja, që tashmë veç ishte thyer nga UÇK-ja.

Ahmet Pantina, një djalosh i ri që në kohët kur makineria shtetërore e Serbisë digjte edhe tokën e Kosovës, ishte bërë pararoje për t’u përballur vetë me zjarrin. Ashtu, në atë përballje, në të cilën merr pjesë vetëm ai që e do shumë lirinë, ashtu fillon epoka e heroizmave dhe në shesh dilnin ata që kishin më së shumti dashuri për atdheun.

Ahmeti, ishte djaloshi që luftonte me armikun në errësirën e natës, në vapën e madhe të diellit, në front të hapur, në sulme diversante. Ishte aty ku ishte e nevojshme të jetë trimëria, guximi për t’i thyer mitet e rrejshme se Serbia është shteti që nuk thyhet. Moral i djemve të UÇK-së, këtyre luftëtarëve të lirisë kishte sjellë fryte konkrete. Popullata fillonte t’i shijonte për herë të parë zonat e lira, uniformën ushtarake të bijve të tyre, trofetë e luftës – e, ishte e mahnitshme t’i shihje ushtarët e lirisë që në kthim pas betejave, përqafonin fëmijët shqiptarë që herë kishin lot në sy e herë buzëqeshje.

Fëmijët, të lindur nga nënat heroike që jepnin mesazhin e fuqishëm se Kosova po rriste fëmijë edhe në mal, sepse tashmë kishte kush t’i mbronte. Rëniet nëpër fushëbeteja nuk do ta plaknin popullin e Kosovës, ashtu siç plakej Serbia në rrugën e degjenerimit të vet, sepse çdo rënie ripërtërihej me lindje të reja. Edhe pas pesëmbëdhjetë vitesh idealet e dëshmorëve mbeten aktuale. Ndërtimi i një shteti të fortë, që është për të gjitha shtresat shoqërore, dhe, ideali madhor i tyre – Bashkimi me Shqipërinë, mbeten sfida për ne. Dëshmorët e dhanë provimin e tyre, u treguan atëherë kur ishte e vështirë për t’u treguar. Andaj, ka dashur Zoti i Madh që me sakrificën e tyre ne sot kemi emër dhe i kemi shpëtuar asimilimit. Ecja përpara është detyrë e jona. Zoti i mëshiroftë të gjithë dëshmorët e Kosovës.

Etiketa: , , ,
Të fundit