“Breshëri plumbash”, plagosja e Shkëlqim Kastratit në Veternik, zbardhet rrjedha e ngjarjes (VIDEO)


E mërkurë, 17 Qershor 2026
“Breshëri plumbash”, plagosja e Shkëlqim Kastratit në Veternik, zbardhet rrjedha e ngjarjes (VIDEO)

Një person është plagosur mbrëmjen e së martës në rrugën “Feriz Guri” në Prishtinë, pas të shtënave me armë zjarri.

Sipas burimeve të Klan Kosovës, i plagosuri është Shkëlqim Kastrati, i cili pas incidentit është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa prokuroria ka bërë të ditur se doras dyshohet të jetë N.B., transmeton Klankosova.tv.

Lidhur me këtë rast që tronditi kryeqytetin, detaje ka dhënë gazetarja e Klan Kosovës, Altiana Zogaj.

Ajo thotë se viktima dhe i dyshuari, sipas dyshimeve fillestare, konfliktin e nisën në mënyrë verbale.

“Mund ta shihni një veturë të tipit Mercedes G Class, e cila u raportua se u aksidentua, por kur zyrtarët policorë erdhën këtu, u kuptua diçka krejt tjetër. Në veturë ishte një person i cili kishte marrë plagë nga arma e zjarrit, e që është identifikuar si Shkëlqim Kastrati. I njëjti është dërguar menjëherë në QKUK për të marrë trajtimin e nevojshëm, dhe kuptohet që këto plagë i kishte marrë nga një breshëri plumbash që kishin ndodhur matanë rrugën ‘Feriz Guri’. ‘Jakup Ceraja’ është rruga nga ku edhe nisi fillimisht përplasja midis dy personave”, u shpreh Zogaj në emisionin “Kosova Today”.

Përmes pamjeve të transmetuara direkt në emisionin “Kosova Today”, gazetarja Zogaj bëri të ditur po ashtu veprimet që Shkëlqim Kastrati kishte bërë pas plagosjes.

“Mund të shihni shtëpinë e cila dyshohet se ishte vendi i parë, ose objekti i parë, ku Shkëlqim Kastrati duke ikur me plagën e marrë në pjesën e shpinës, ishte nisur për të kaluar rrugën dhe kishte përplasur murin e kësaj shtëpie. Veç kësaj janë edhe dy vetura të tjera që janë aksidentuar nga vetura e Shkëlqim Kastratit, e që më pas ndalesën e kishte te lëndina [pamjet në fillim të videos]”, u shpreh gazetarja në Klan Kosova.

Sipas saj, Shkëlqim Kastrati nuk mund të drejtonte veturën si pasojë e plagës së marrë dhe terrenit të vështirë.

Sa i përket viktimës, Zogaj thotë se i njëjti është i emër i njohur për policinë, ndërsa sipas saj, Shkëlqim Kastrati kërkohej edhe nga Interpoli.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Prishtinës ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku është gjetur një armë e gjatë, shtatë gëzhoja dhe 13 fishekë, të cilat sipas prokurorisë do të shërbejnë si prova materiale gjatë zhvillimit të procedurës hetimore.

Kallashnikovi në Veternik, forcat policore në vendin e ngjarjes – hetimet vazhdojnë për plagosjen


Burimi: klankosova

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit