“Krimi është i provuar në gjykatë” – Vëllai i Liridona Ademajt kërkon burgim të përjetshëm për të akuzuarit


E premte, 17 Prill 2026
“Krimi është i provuar në gjykatë” – Vëllai i Liridona Ademajt kërkon burgim të përjetshëm për të akuzuarit

Vëllai i Liridona Ademajt, Leonardi, ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit për vrasjen e saj, duke theksuar se gjatë procesit gjyqësor është dëshmuar qartë organizimi dhe ekzekutimi i krimit.

Ai tha se sipas tij, krimi është organizuar nga Naim Murseli, në bashkëpunim me Kushtrim Kokalla, ndërsa ekzekutimi është kryer nga Granit Plava.

“Në këtë ditë kur flasim, të gjithë ne që e kemi përcjellë këtë proces dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, një gjë e kanë të qartë: se Naimi e ka organizuar këtë vrasje së bashku me Kushtrimin, duke e zgjedhur Granitin si vrasës. Ne kemi parë dhe dëgjuar shumë gjëra këtu, kemi qenë prezent të gjithë, por së paku 22 kamera i lidhin Naimin, Granitin dhe Kushtrimin,” tha ai.

Ai shtoi se deklaratat e të akuzuarve përputhen me njëra-tjetrën dhe, sipas tij, e forcojnë edhe më shumë versionin e prokurorisë.

“Ne kemi parë edhe përputhshmërinë e deklaratave të tyre, të cilat lidhen ngushtë me njëra-tjetrën. Nuk dua t’i citoj të gjitha, por disa prej tyre duhet të përmenden. Kushtrimi thotë: Naimi më ka thënë një vit para që ta vras Liridonën. Kushtrimi thotë: kam qenë i pranishëm me Granitin dhe jemi takuar me Naimin. Kur jemi takuar, Naimi i ka thënë Granitit ‘ti po e kryen këtë punë’. Kushtrimi thotë gjithashtu se Naimi e ka marrë numrin e Granitit nga ai,” tha ai.

Ai përmendi edhe deklarimet e Granit Plavës, sipas të cilit, sipas tij, konfirmohet përfshirja e drejtpërdrejtë në planifikim dhe ekzekutim.

“Graniti thotë se Naimi ka kërkuar vrasjen e Liridonës për 30 mijë euro. Ai thotë se sa herë jemi takuar me Naimin, Kushtrimi ka qenë prezent. Madje thotë se Naimi ka qenë në veturë në momentin e vrasjes dhe më ka thënë ‘gjuaj, gjuaj’. Po ashtu thotë se Naimi më ka dhënë instruksione si duhet të realizohet plani,” tha ai.

Në fund, Leonardi kërkoi nga gjykata dënim maksimal për të akuzuarit.

“Krimi që është bërë duhet të dënohet fuqishëm, që fëmijët e Liridonës dhe ne si familje të jemi sadopak të lehtësuar nga dhimbja që kemi përjetuar. Kërkojmë burgim të përjetshëm. Çdo dënim tjetër e cënon, e denigron Liridonën, shoqërinë dhe vetëdijen e popullit tonë për këtë krim makabër,” tha ai.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit