E premte, 20 Shkurt 2026

Gjyshër, dëgjoni me vëmendje! Të kaluarit kohë me nipërit dhe mbesat tuaja, nuk është vetëm mirë për humorin tuaj, por edhe e mirë për shëndetin tuaj mendor. Sipas një studimi të botuar së fundmi në “Psychology and Aging”, kujdesi për të vegjlit tuaj mund të ndihmojë në luftimin e rënies së aftësive njohëse.
Autorët analizuan të dhëna nga 2.887 gjyshër mbi 50-vjeç, me një moshë mesatare prej 67 vjeç, të cilët iu përgjigjën anketave dhe përfunduan tre teste njohëse midis viteve 2016 – 2022.
Ndër pyetjet e anketës, të cilat pyetnin nëse pjesëmarrësit ishin kujdesur për nipërit e mbesat e tyre në ndonjë kohë gjatë vitit të kaluar, kishte pyetje më të hollësishme që eksploronin llojin dhe frekuencën e kujdesit.
Për shembull, nëse ata qëndronin me nipërit e mbesat e tyre gjatë natës ose kur ishin të sëmurë, nëse luanin me ta, nëse i ndihmonin me detyrat e shtëpisë, i shoqëronin në shkollë apo i ushqenin.
Rezultatet treguan se gjyshërit që ishin kujdesur për nipërit e mbesat e tyre, shënuan rezultate më të larta në testet e kujtesës dhe rrjedhshmërisë verbale, pavarësisht nga frekuenca dhe lloji i ndërveprimit.
Ndërkaq, edhe gjyshet e përfshira në kujdesin për të vegjlit në shtëpi treguan gjithashtu më pak shenja të rënies së aftësive njohëse në teste, krahasuar me ato që nuk kishin kaluar kohë me nipërit e mbesat e tyre.
Ndërsa thekson rëndësinë e kërkimeve të mëtejshme për të konfirmuar gjetjet, koordinatorja e studimit Flavia Chereches, shpjegon se nëse ka përfitime që lidhen me rolin e kujdestarit gjysh, ato mund të mos varen nga frekuenca me të cilën kujdeset dikush për nipërit e mbesat e tij ose nga aktivitetet specifike të kryera, por nga përvoja e përgjithshme e përfshirjes në kujdes. /tesheshi.com/
Burimi: tesheshi
