E premte, 24 Prill 2026

Aspirina, ilaçi katër mijë vjeçar, i cili njihet botërisht si një mjet i thjeshtë për të trajtuar dhimbjen dhe ethet, po rezulton të jetë një nga zbulimet më premtuese në onkologjinë moderne.
Ky medikament i lashtë ka treguar një aftësi të jashtëzakonshme për të parandaluar formimin dhe përhapjen e disa llojeve të tumoreve, gjetje këto që po ndryshojnë rrënjësisht politikat shëndetësore globale.
Rasti i Nick James, i cili mbart Sindromën Lynch, tregon fuqinë e këtij trajtimi. Pas një dekade të përdorimit të rregullt të aspirinës, ai mbetet i lirë nga kanceri, pavarësisht predispozitës së lartë gjenetike.
Sindroma Lynch rrit rrezikun e kancerit të zorrëve deri në 80 për qind, por studimet e udhëhequra nga profesorë si John Burn kanë vërtetuar se një dozë e ulët ditore mund ta përgjysmojë këtë rrezik.
Historia e aspirinës nis që me pllakat e argjilës në Mesopotami dhe përdorimin e lëvores së shelgut nga egjiptianët e grekët e lashtë, të cilët pa e ditur shfrytëzonin salicinën për të qetësuar trupin.
Vetëm në shekullin XIX shkencëtarët arritën të sintetizonin acidin acetilsalicilik, duke e bërë atë më pak irritues për stomakun dhe më të arritshme për njerëzit e zakonshëm.
Për dekada me radhë, aspirina u rekomandua kryesisht për hollimin e gjakut dhe mbrojtjen kardiovaskulare, por që nga viti 1972, kërkimet mbi minjtë sugjeruan se ajo mund të ndalonte metastazën.
Sot, shkenca po gjen prova gjithnjë e më të forta te njerëzit. Në Suedi, kërkimet e fundit të vitit 2025 treguan se pacientët që kishin kaluar kancerin kolorektal dhe merrnin aspirinë pas operacionit, kishin shumë më pak gjasa për rikthim të sëmundjes.
Megjithatë, pyetja e madhe mbetet se si funksionon ky proces në nivel molekular. Aspirina vepron si brenda ashtu edhe jashtë qelizës, duke penguar enzimën Cox-2, e cila aktivizon rrugët e sinjalizimit për rritjen e pakontrolluar qelizore.
Një zbulim i ri dhe befasues, sugjeron se aspirina mund ta bëjë kancerin “të dukshëm” për sistemin imunitar. Duke bllokuar tromboksanin A2, një faktor mpiksjeje, aspirina parandalon qelizat kancerogjene që të fshihen nga qelizat T mbrojtëse.
Kjo do të thotë se sistemi ynë imunitar mund t’i identifikojë dhe t’i shkatërrojë ato më me efikasitet përpara se të formohen tumoret. Ky zbulim është veçanërisht i rëndësishëm për ndalimin e procesit të metastazës, ku qelizat malinje udhëtojnë përmes gjakut për të pushtuar organe të tjera.
Por pavarësisht këtyre rezultateve mahnitëse, mjekët bëjnë thirrje për kujdes të shtuar. Aspirina nuk është një kurë universale pa rreziqe. Nëse pihet pa konsultime me mjekun, ajo mund të shkaktojë gjakderdhje të brendshme, ulçera dhe hemorragji.
Po ashtu, vazhdon debati nëse çdo person mbi moshën pesëdhjetë vjeç duhet ta marrë atë si një masë parandaluese. Por shumica e ekspertëve rekomandojnë që përdorimi i saj të kufizohet te grupet me rrezik të lartë. /tesheshi.com/
Burimi: tesheshi
