Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Mbështetje “Prespës” dhe dialogut Prishtinë-Beograd nga Brukseli

Prizren Post | 19:13 - 19.12.2018

BRUKSEL – Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, e njëherazi zv.presidente e Komisionit Europian, Federica Mogherini priti këtë të mërkurë në Bruksel, në një takim informal, krerët e vendeve nga Ballkani Perëndimor.

Duke hedhur sytë nga progresi i rëndësishëm që rajoni ka bërë gjatë vitit 2018, udhëheqësit e rajonit ranë dakord me përfaqësuesen e BE-së mbi nevojën për të vendosur bazat mbi këtë progres, e për të vijuar më tej me çështje të tjera me në fokus perspektivën drejt Bashkimit Europian të secilit vend, sikurse edhe për reformat e brendshme tejet të domosdoshme.

Çdo përpjekje duhet të bëhet për të arritur progresin e nevojshëm, në kohën e duhur, përpara punimeve të Këshillit Europian të programuar për në qershor të 2019-s.

Duke i quajtur si partnerë, dhe jo vende kandidate për në BE, Federica Mogherini theksoi vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë tani, më shumë sesa kurrë më parë, së bashku për të avancuar objektivat e tyre të përbashkëta për integrim në BE, për të konsoliduar paqen dhe sigurinë, e për të investuar më shumë në bashkëpunimin më të gjerë rajonal, që do të sjellë përfitime për të gjithë popujt e rajonit.

Për këtë arsye, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor shprehën mbështetjen e fuqishme ndaj marrëveshjes së Prespës, si dhe për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme në kontekstin e dialogut Prishtinë-Beograd.

Ata u zotuan gjithashtu të punojnë për integrimin e mëtejshëm të rajonit në BE, në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe ripajtimit, duke u përmbajtur nga të gjitha veprimet apo deklaratat që nuk do të ishin të favorshme për interesat e përgjithshme dhe objektivat strategjike të rajonit.


Etiketa:
Arivisti Company