E diel, 9 Gusht 2026

Para se të botonte librin e saj të ri, Mind Drama, gazetarja shkencore Donna Jackson Nakazawa i dërgoi një kopje dikujt që punonte mbi një temë të ngjashme. Ky person ia tradhtoi besimin, duke u përpjekur më vonë të botonte disa gjetje kyçe në emrin e vet. Ndonëse situata u zgjidh në fund, mendja e Jackson Nakazawa-s vazhdonte ta rijetonte pa pushim ngjarjen e hidhur. Duke rënë pre e një prirjeje të përjetshme për t’u thithur në një vorbull mendimesh obsesive, ajo e gjeti veten të bllokuar brenda kokës së saj — dhe, siç thotë vetë, ajo ishte një lagje e keqe për të banuar.
Jackson Nakazawa nuk është aspak e vetme në këtë drejtim. Në një studim të vitit 2010, psikologët e Harvardit zbuluan se njerëzit i kalojnë deri në 46.9% të orëve të tyre në zgjim duke menduar për gjëra të tjera nga ato që po u ndodhin në çastin e tanishëm, dhe kjo “endje e mendjes” është një parashikues i fortë i palumturisë. Studime të tjera tregojnë se kjo përqindje ka vazhduar të rritet, sidomos që nga pandemia e COVID-19. Ky është problem, sepse të ruminosh mbi çka ka qenë ose çka mund të ndodhë nuk është e dëmshme vetëm për shëndetin tonë mendor. Është e dëmshme edhe për shëndetin fizik.
Sa herë që mendja jote rijeton një skenar stresues, shpjegon Jackson Nakazawa, e rijeton edhe trupi yt.
Kur rijetojmë situata stresuese nga e kaluara, ose përfytyrojmë situata stresuese në të ardhmen, ne aktivizojmë përgjigjen tonë akute ndaj stresit. Si pjesë e kësaj përgjigjeje, trupat tanë prodhojnë kortizol, një hormon që ndihmon në rregullimin e gjendjes së alarmit dhe zvogëlon inflamacionin. Ndërsa njëfarë inflamacioni është krejt i shëndetshëm, inflamacioni kronik është lidhur me humbjen e kujtesës, si dhe me rrezikun e shtuar për sëmundje kardiovaskulare dhe disa lloje kanceri. Dhe sa më shumë kortizol të prodhojnë trupat tanë, aq më pak u përgjigjen qelizat atij, duke sjellë një tepri që mund ta kufizojë efektin antiinflamator të hormonit.
Sigurisht, të mos ruminosh është më lehtë të thuhet sesa të bëhet. Shumë njerëz ruminojnë pa e kuptuar fare, ndërsa ata që e bëjnë shpesh mund të mos kërkojnë ndihmë nga frika ose turpi. Por edhe nëse je i vetëdijshëm për problemin, dhe i gatshëm ta trajtosh, rruga mund të jetë sërish e gjatë dhe e mundimshme.
Jackson Nakazawa do të donte të thoshte se mund t’i frenojë me forcë dramat e mendjes së saj kur ato marrin hov. Por, pavarësisht gjithçkaje që dinte si gazetare shkencore dhe meditimit e jogës që i kishte shtresuar në ditët e saj për dekada me radhë, nuk mundej. Për fat, ajo zbuloi disa teknika me baza shkencore që ndihmojnë.
Për t’ia mbyllur siparin monologut tënd të brendshëm, së pari duhet të kuptosh se çfarë është ruminimi dhe nga vjen. Duke folur për Big Think përmes Zoom-it, Jackson Nakazawa e quajti atë një lloj përgjigjeje mbijetese që ka dalë huq, një përshtatje evolutive që mbetet po aq e fuqishme sa dikur, ndonëse jo më aq e dobishme sa ka qenë.
Siç shkruan në Mind Drama, sistemi nervor i njeriut ka evoluar shumë kohë përpara mendimit të vetëdijshëm e logjik, ndaj vepron me një marzh të konsiderueshëm gabimi kur vlerëson se sa rrezik po përballon. Në kohët parahistorike, të ruminosh mbi rrezikun i mbante gjallë të parët tanë. Sot, kur përballjet e vërteta me rrezik për jetën janë të rralla, ai priret të na pengojë të jetojmë mirë.
Ruminimi buron nga një rrjet zonash truri që së bashku quhen rrjeti i modalitetit të parazgjedhur (default mode network, DMN). Në fakt janë tri zona, shpjegon Jackson Nakazawa: një në pjesën e përparme të kokës, një në të dy anët dhe një tjetër në pjesën e pasme. Për një kohë të gjatë, ky rrjet është konsideruar si një hiç i madh, një stacion në pritje, si makina që punon bosh në oborr. Falë teknologjisë fMRI, tani e dimë se DMN-ja është përgjegjëse për ëndërrimet me sy hapur, kujtimet, përfytyrimin e skenarëve të ardhshëm dhe reflektimin mbi situatat shoqërore.
Thënë ndryshe, shkruan Jackson Nakazawa, ai është selia e ndjesisë sate të vetvetes, rrëfimtari i trurit tënd, aty ku thur historitë se kush je, si ke arritur deri këtu, çfarë të ka ndodhur në jetë dhe kush mund të bëhesh.
Kur njerëzit kërkojnë ndihmë profesionale për shëndetin mendor, shpesh njihen me terapinë konjitive-sjellore (CBT). E cilësuar si standardi i artë i psikoterapisë, ose, me fjalët e Jackson Nakazawa-s, si vija e parë e trajtimit, CBT-ja mund të përshkruhet përafërsisht si përpjekja për të përmirësuar mirëqenien duke vënë në pikëpyetje mendimet dhe duke ndryshuar sjelljen. Ajo është e efektshme për shumë probleme, nga çrregullimi obsesivo-kompulsiv deri te çrregullimet e të ushqyerit.
Megjithatë, sipas një rishikimi sistematik të vitit 2024, CBT-ja nuk funksionon gjithmonë për ruminimin. Autorët e rishikimit gjetën prova paraprake se terapia konjitive-sjellore e përqendruar te ruminimi (RFCBT) — një formë e CBT-së që synon të ndryshojë procesin e të menduarit dhe jo përmbajtjen e mendimeve të veçanta — ishte më e efektshme në trajtimin e simptomave depresive, sidomos te njerëzit që priren të ruminojnë.
Nga ana e saj, Jackson Nakazawa rekomandon qasjen MIST. Kjo qasje funksionon duke trajtuar tri përvoja të dallueshme që prodhon DMN-ja: imazhet mendore (Mental imagery), emocionet e forta (Intense emotions) dhe ndjesitë trupore (bodily Sensations). (T-ja, nëse je kureshtar, do të thotë tie it all together — lidhi të gjitha bashkë.)
MIST-i ka dy hapa. I pari është përshkrimi. Duke i shprehur me fjalë imazhet, ndjenjat dhe ndjesitë që prodhon DMN-ja jote, arrin të dalësh jashtë vorbullës së përmendur dhe t’i shohësh më qartë gjërat për të cilat po ruminon. E pyetur për shkencën pas këtij procesi, Jackson Nakazawa i referohet kërkimeve të neuroshkencëtarit të UCLA-së, Matthew Lieberman, i cili zbuloi se thjesht përshkrimi i një emocioni bën që amigdala — detektori i kërcënimeve i trurit tënd — të qetësohet.
MIST-i e çon këtë një hap më tej: duke bërë të njëjtën gjë edhe për ndjesitë fizike që përjetojmë dhe imazhet mendore që krijojmë, jemi më të aftë t’i ndalim ruminimet tona në vend.
Gjuha që gjen vetë për përvojat e tua, i thotë autorja Big Think-ut, është gjuha së cilës truri yt do t’i kushtojë vëmendjen më të madhe.
Hapi i dytë i MIST-it është dëgjimi. Kur ruminojmë, jemi të tunduar t’i shpërfillim ose t’i shtypim mendimet ndërhyrëse. Por Jackson Nakazawa argumenton se duhet të bëjmë të kundërtën. Sepse, ndonëse ruminimi duket si një zhytje në vuajtjen tonë, ai është në të vërtetë një mjet shmangieje. Siç thoshte filozofi Bertrand Russell, çdo lloj frike bëhet më e keqe kur nuk e vështron në sy.
Kur ruminojmë, nuk i përballojmë problemet tona, por u ikim atyre. Por nëse dëgjohen siç duhet, shkruan Jackson Nakazawa, ruminimet tona janë një ftesë për t’u kujdesur për pjesët tona të frikësuara, të shqetësuara, të pikëlluara, të zemëruara e të padëgjuara.
Në fund të fundit, thotë ajo për Big Think, të gjithë ruminojmë për të njëjtën gjë dhe ngecim në rrëfime që kanë një emërues të përbashkët: A ndihem i rëndësishëm për njerëzit që janë më të rëndësishmit për mua? Historitë në të cilat ngecim janë ato që na thonë se, në një farë mënyre, nuk po e përjetojmë atë ndjesi rëndësie për të cilën kemi mall.
Dhe sapo arrin të dëgjosh, mund të hartosh një plan për të trajtuar atë që nuk shkon.
Mind Drama shqyrton edhe shumë teknika të tjera për t’u përballur me ruminimin, si dhe shkencën që qëndron pas tyre. Frymëmarrja ciklike me psherëtima, për shembull, i sinjalizon sistemit të frymëmarrjes se mund të qetësohet, ndërsa vetëdistancimi — t’i flasësh vetes ashtu siç do t’i flisje një personi tjetër — është parë se i ndihmon njerëzit t’i rregullojnë emocionet kur reflektojnë mbi përvoja negative.
Teknika të tjera, si mbajtja e ditarit, ëndërrimi me sy hapur dhe vetë MIST-i, synojnë ta trajtojnë ruminimin duke nxitur krijimtarinë. Kjo sepse edhe krijimtaria, edhe ruminimi shoqërohen me veprimtari të shtuar në DMN. Dallimi, shpjegon Jackson Nakazawa, qëndron te mënyra si punon ky rrjet:
Kur jemi në spirale mendimesh, DMN-ja punon në qark të mbyllur. Nuk ndërvepron me pjesën tjetër të trurit — si një aeroport i mbyllur. Por kur jemi krijues, rrjeti kthehet nga horr në hero: në vend të një qarku të mbyllur, ai ndërlidhet.
Kjo ndihmon të shpjegohet pse ruminimi rrotullohet brenda vetes. Kur ruminojmë, kërkojmë një përgjigje për problemet tona, por përgjigjja nuk vjen kurrë, sepse jemi të mbyllur jashtë zonave të trurit që janë përgjegjëse për zgjidhjen e problemeve.
Rrjeti i modalitetit të parazgjedhur, përmbledh ajo, prodhon si ato orë të tmerrshme të humbura të mbimendimit negativ, ashtu edhe idetë më të mira që kemi pasur ndonjëherë. Është si vetë fjala: në fjalor, ruminimi do të thotë njëherazi spirale mendimi e pandalshme dhe përsëritëse, por edhe të soditësh, të përsiatësh, të krijosh ide. Ku qëndron dallimi? Ne dalim emocionalisht nga rrëfimi. E ndalim dramën e mendjes.
Dhe me ndalimin e dramës, pjesa tjetër e trurit hapet sërish.
Si çdo libër i menduar mirë mbi terapinë apo shëndetin mendor, edhe ai i Jackson Nakazawa-s mbyllet me disa vërejtje kujdesi. Përmirësimi është çështje praktike dhe përkushtimi, dhe teknikat që funksionojnë për një person mund të mos funksionojnë për dikë tjetër. Por, ndonëse terapia nuk është një zgjidhje e shpejtë — Jackson Nakazawa flet për shërim gradual, jo për kurim — ka shumë arsye për shpresë, jo më pak falë kuptimit tonë gjithnjë në përmirësim të vetë trurit.
Në fillimet e karrierës sime, reflekton ajo, na thoshin se truri është neuroplastik vetëm deri në moshën 5-vjeçare, pastaj deri në 18, 25 e 28. Tani po shohim lindjen e neuroneve të rinj në hipokamp gjatë gjithë jetës. Ruminimet e tua nuk janë asgjë më shumë se hulli nervore nëpër rrjetin tënd të modalitetit të parazgjedhur, të gdhendura herët në jetë, dhe kjo është e kthyeshme.
Marrë nga Bigthink.com. Solli në shqip Tesheshi.com
Tim Brinkhof është gazetar me origjinë holandeze, me banim në Nju-Jork, që shkruan për artin, historinë dhe letërsinë. Ka studiuar pikturën e hershme holandeze dhe letërsinë sllave në Universitetin e Nju-Jorkut, ka punuar si asistent editorial për revistën Film Comment dhe ka shkruar për Esquire, Film & History, History Today dhe History News Network.
Burimi: tesheshi
