E shtunë, 30 Maj 2026

Dy miliardë fuçi të ruajtura në shpellat e kripës
Përgjatë Autostradës Ndërshtetërore 10, që përshkon brigjet jugore të Shteteve të Bashkuara nga Luiziana drejt Teksasit, peizazhi dominohet nga industria e naftës. Platforma shpimi në horizont, oxhaqe rafinerish që ndriçojnë natën dhe anije cisternë që lëvizin vazhdimisht në Gjirin e Meksikës krijojnë pamjen e një prej qendrave më të fuqishme energjetike në botë.
Por ajo që shihet në sipërfaqe është vetëm gjysma e historisë. Thellë nën tokë, të fshehura brenda formacioneve natyrore të kripës, ndodhen kupola gjigante kripe që shtrihen në Luiziana dhe Teksas.
Brenda tyre janë gdhendur shpella artificiale, të krijuara në fund të viteve 1970 pas krizës globale të naftës. Pikërisht këto hapësira nëntokësore përbëjnë Rezervën Strategjike të Naftës së Shteteve të Bashkuara, një nga depot më të mëdha emergjente të energjisë në botë.
Në vende si West Hackberry në Luiziana, infrastruktura mbi tokë duket e zakonshme industriale. Por qindra metra më poshtë ndodhen rezervuarë gjigantë, ku ruhen miliona fuçi naftë të gatshme për t’u përdorur në rast krize.
Aktualisht, rezervat amerikane llogariten në rreth 374 milionë fuçi naftë, ndërsa kapaciteti maksimal arrin rreth 714 milionë fuçi. Kjo rezervë shërben si një mekanizëm sigurie për ekonominë amerikane dhe për stabilitetin e tregjeve globale, duke u aktivizuar vetëm në raste emergjente.
Roli i saj është bërë edhe më i dukshëm në vitet e fundit. Tensionet në tregjet ndërkombëtare të energjisë, përfshirë mbylljen e Ngushticës së Hormuzit për një periudhë të zgjatur, kanë rritur frikën për mungesa furnizimi dhe rritje të çmimeve globale.
Në përgjigje, vendet anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë ndërmorën një operacion të koordinuar për përdorimin e rreth 400 milionë fuçive naftë nga rezervat strategjike. SHBA-ja kontribuoi me rreth 172 milionë fuçi për të stabilizuar tregun.
Në nivel global, rezervat strategjike të naftës vlerësohen në rreth 2.5 miliardë fuçi, ku Kina mban stokun më të madh. Këto rezerva janë bërë një element kyç i sigurisë energjetike dhe një instrument i rëndësishëm gjeopolitik.
Sipas Scott Montgomery, ish-gjeolog nafte dhe pedagog në Universitetin e Uashingtonit, zgjedhja e kripës si mjedis depozitimi nuk është rastësore. Kripa është e papërshkueshme nga uji dhe mjaft elastike për të përballuar presionin e madh nëntokësor.
“Këto nuk janë shpella të mëdha të hapura”- shpjegon ai. “Janë dhjetëra rezervuarë të veçantë, me diametër rreth 60 metra dhe thellësi deri në 610 metra”- shton eksperti.
Ai thekson se këto struktura funksionojnë si “shishe” gjigante nëntokësore që mbajnë naftën të izoluar për dekada. Megjithatë, ato nuk janë të pafundme në përdorim.
Sipas Montgomery-t, shpellat e kripës mund të përballojnë vetëm disa cikle të nxjerrjes dhe rikthimit të naftës përpara se të fillojnë të degradohen. “Realiteti gjeologjik është se, në një moment, do të duhet të ndërtohen struktura të reja” – deklaron ai.
Në një botë ku energjia mbetet një nga instrumentet më të fuqishme të ekonomisë dhe politikës globale, këto depo të fshehura nën tokën amerikane vazhdojnë të luajnë rolin e një garancie të heshtur sigurie për tregjet dhe shtetet. tesheshi
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
