Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

5 emra nga politika dhe 5 jashtë saj që mund ta pasonin presidentin Nishani

Prizren Post | 00:12 - 23.04.2017

Tiranë – Afrimi i orës kur politika do zgjedhë presidentin e ri të vendit, detyron dhe hamendësimin se kush mund të ishte një figurë e denjë për këtë post, nga brenda politikës apo jashtë saj, e cila të kishte vërtet një konsensus të gjerë dhe të ishte vërtet përfaqsuese. Shqipëria po lë pas një figurë që nuk arriti të ishte e tillë.

Bujar Nishani, një partiak i rëndomtë demokrat, me një mungesë të theksuar dhe të sharmit intelektual, përbën tashmë një njollë në historinë e Presidencës shqiptare të pas-komunizmit. Dhe siç ndodhi në 97-ën, kur duhej të vinte dikush në krye të shtetit për të kuruar imazhin e rrënuar të një institucioni nën drejtimin e Berishës, edhe tani në 2017-ën pothuajse është e njëjta gjë, veç ndryshimit se kjo nuk po ndodh nën krisma armësh si atëherë.

Por kush do ishin ato figura që do e bënin këtë; që do ishin krerë të denjë shteti, referuar një profili të tyre të deritashëm. Ne po servirim disa prej tyre, shoqëruar dhe me referencat përkatëse në disa plane.

Nga politika:

Halim Kosova – aktualisht deputet i PD-së. Emri i tij si një president i mundshëm është përfolur dhe vite më parë. Ai gëzon një konsensus qytetar si figurë për shkak të profilit të tij si mjek dhe menaxher dhe, me aktivizimin në politikën aktive, ku kulmin e pati me kandidimin si kryetar bashkie në Tiranë, ofroi një model etik të admirueshëm në komunikim. Edhe pse i rreshtuar politikisht, ofron prova bindëse për të qenit njeri i ekuilibrave.

Eduart Selami – siç dhe po dallohet, atë nuk e bashkon asgjë me këtë PD-në ku ndodhet aktualisht. Edhe pse gjesti i rikthimit të tij në partinë prej së cilës iku afro 20 vite më parë u pa vëngër, kohë pas kohe Selami arriti të rehabilitohej, duke qenë sidomos i distancuar nga partitizmi vulgar. Zotëron dukshëm dhe mjaftueshëm një etikë politike për të qenë mes palëve dhe me autoritetin e duhur për të përfaqsuar Presidencën.

Paskal Milo – me një këmbë në politikë dhe me tjetrën në botën akademike prej nga vjen. Personazh politik i së majtës, posti më i lartë që ka mbajtur ka qenë ai i ministrit të Jashtëm në qeverinë “Nano” pas 97-ës. Është politikani që ka rekordin e një njeriu nga Bregu që ka fituar mandat deputeti në veri, pikërisht në Dibër. Ekuilibrist në logjikën politike, etik në komunikim, larg gjuhës vulgare të sherrnajava politike, me një performancë intelektuale në kuota të pëlqyeshme, Milo do ishte një prej figurave bindëse për të qenë President.

Pandeli Majko – është ndër ata politikanë aktivë të së majtës me një të dhënë shumë sinjifikative: i ka shpëtuar makinës grirrëse së akuzave nga kampi tjetër politik. As Berisha pra, që nuk të fal për kollaj kur i ndodhesh përballë, siç Majko i është ndodhur si kryeministër vite më parë, nuk ka mundur ta nxijë si figurë. Në narrativën e tij politike, e përçon frymën e dialogimit, konsensusit, ekulibrit. Mbi të gjitha ka dhe shtetësi kosovare. Pra, gëzon dhe konsensus patriotik.

Edmond Panariti – ngjan si alien në LSI. Një ndër figurat qendrore të saj, ka arritur të ruajë të pëcenuar tek vetja personalitetin e një zyrtari shteti serioz, për aq poste sa ka mbajtur. Njeri larg polemikave, me një gjuhë të kujdesshme politike, gëzon imazhin e një njeriu që mund t’ia besosh detyrat e larta pa frikën e proçkave apo rrëshqitjeve me shkaqe politike apo karakteriale. Siç është parë dhe kohët e fundit, është ndër ata ministra të LSI në qeveri që u ri larg gërrvërreve të rëndomta politike.

Nga shoqëria civile apo bota akademike:

Përparim Kabo – i ardhur nga bota akademike, është ndër ata figura publike imponuese në ligjërim. I kompletuar intelektualisht, me ndjeshmëri të holla njerëzore dhe civile, ofron gjithnjë gadishmëri për të investuar personalisht në çështje të interesit shoqëror.

Lisen Bashkurti – i njohur si diplomat, gëzon një autoritet akademik por dhe civil për të qenë drejtues i lartë shteti. Të qenit në fundi të regjimit si një krerët e Komitetit të Rinisë, nuk ka mundur që ta mbajë të përlyer për këtë cen në protagonizimin e tij prej diplomati dhe njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ka formimin dhe etikën e mjaftueshme për t’iu besuar kreu i shtetit, sidomos në këto kohë të trazuara në zhvillimet ndërkombëtare ku ai gëzon autoritetin e zotëruesit të aftësive në artikulimet e duhura diplomatike.

Adrian Civici – akademik në krye të UET-it, performanca e tij publike përçon profesionalizëm dhe qytetari. Mjaft të thuhet se kur nis e flet në panele debati televiziv, nuk ndodh ta ndërpresë dikush. Imponues në ligjërim, njohës i shtetit dhe i mekanizmave të tij, larg impulseve politike, Civici është një potencial i denjë për t’i besuar Presidencën.

Pëllumb Xhufi – protagonist publik në zhvillimet shqiptare, është një prej figurave me integritet të pranueshëm për të qenë president. Ish-njeri i LSI-së për pak kohë dhe i distancuar nga kjo parti dhe Meta vetë, për motive morale, Xhufi ka patur para pak vitesh dhe një përvojë dipomatike. I shquar për atdhetarizëm në gjykimet historike, fushë prej nga vjen, gëzon reputacionin e njeriut që nuk molepset kollaj nga politika dhe që mban një distancë nga pjesa vulgare e saj. Jep garanci si figurë që nuk mund të lërë një shije negative duke drejtuar shtetin shqiptar.

Kristaq Kume – ish-një ndër krerët e KQZ-së, ai ka qenë dhe mbetet gjithnjë i angazhuar për t’i dhënë vendin standarte të larta zgjedhjesh. Me paanësi politike, duke mbajtur gjithnjë pozicione ekuilibruese mes palëve në sherrnajë, Kume shfaqet me formulat se si mund të kalohen ngërçet zgjedhore. Ky tipar mund t’i japë dhe notën e duhur për të qenë president.

Këta ishin disa prej emrave që gëzojnë cilësi për të pasuar Nishanin dhe për t’i dhënë dinjitetin e humbur figurës së Presidentit të Republikës. Sigurisht që nuk janë të vetmit, por kjo dhjetëshe e përzgjedhur ka rolin e një shkëndijimi për ndërgjegjen e politikës që t’i shoh ftohtësisht ca emra që mund të ishin të denjë për në krye të shtetit shqiptar./tesheshi.com/


Etiketa:
Arivisti Company