Ndiheni gjithmonë të lodhur?! Ja vitaminat që mund t’ju vijnë në ndihmë…


E diel, 10 Maj 2026
Ndiheni gjithmonë të lodhur?! Ja vitaminat që mund t’ju vijnë në ndihmë…

Lodhja e vazhdueshme është kthyer në një nga problemet më të zakonshme të jetës moderne. Stresi, mungesa e gjumit dhe ritmi i shpejtë ndikojnë çdo ditë në energjinë tonë, por ekspertët paralajmërojnë se shpesh pas kësaj gjendjeje fshihet edhe një shkak tjetër: mungesa e vitaminave të rëndësishme për organizmin.

Një nga më kryesoret është vitamina B12, e cila luan rol të rëndësishëm në prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut dhe funksionimin normal të sistemit nervor. Kur niveli i saj bie, trupi nuk arrin të transportojë oksigjenin siç duhet, duke sjellë lodhje, dobësi dhe mungesë përqendrimi.

Ekspertët tregojnë se mungesa e vitaminës B12 mund të shfaqet me simptoma si:

-lodhje e vazhdueshme

-marramendje

-vështirësi në përqendrim

-dobësi fizike

Kjo vitaminë gjendet kryesisht në ushqime me origjinë shtazore, si mishi i kuq, peshku, vezët dhe produktet e bulmetit. Për këtë arsye, personat që ndjekin dieta vegane ose vegjetariane konsiderohen më të rrezikuar nga mungesa e saj dhe në disa raste mund të kenë nevojë për suplemente.

Por vitamina B12 nuk është e vetmja që ndikon në nivelin e energjisë. Edhe vitamina D lidhet shpesh me lodhjen kronike dhe dobësinë muskulore, ndërsa vitamina C ndihmon në përthithjen e hekurit dhe reduktimin e stresit oksidativ.

Një rol të rëndësishëm luan edhe magnezi, i cili ndihmon në prodhimin e energjisë dhe relaksimin e muskujve.

Mjekët na këshillojnë, nëse lodhja vazhdon për një kohë më të gjatë dhe nuk përmirësohet me pushim apo ushqim të mirë, të bëhen analiza gjaku për të kontrolluar nivelet e vitaminave dhe për të parandaluar probleme të tjera shëndetësore.

Edhe pse suplementet mund të ndihmojnë në raste të caktuara, specialistët vënë theksin se mënyra më e mirë për të marrë vitaminat mbetet dieta e balancuar dhe e pasur me ushqime natyrale. Nëse dieta nuk plotëson nevojat e trupit atëherë mund të hidheni tek suplementet.


Burimi: mesazhi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit