Një marrëveshje sekrete mes dy gjenocidistëve


E diel, 10 Maj 2026
Një marrëveshje sekrete mes dy gjenocidistëve

Serbia dhe Izraeli, bërë njësh në gjeopolitikën e re

Nënshkrimi i një marrëveshjeje sekrete për shkëmbim të dhënash në fushën e mbrojtjes e ka rikthyer në fokus bashkëpunimin ushtarak midis Serbisë dhe Izraelit.

Qeveria thotë se marrëveshja e re krijon kushte për bashkëpunim midis dy vendeve në fushën e industrisë së mbrojtjes, por nuk jep detaje.

Opozita kritikon thellimin e bashkëpunimit me Izraelin, duke thënë se ai vjen në kohën e gabuar, duke pasur parasysh operacionet ushtarake të atij vendi në Gaza dhe pjesëmarrjen e tij në konfliktin me Iranin.

Duke komentuar këto vlerësime, presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi më 5 maj se nuk donte të justifikohej para askujt dhe se vendi bashkëpunon si me Iranin ashtu edhe me Izraelin.

Konsulenti i sigurisë dhe gjeopolitikës Nikola Luniç thotë se marrëveshje të tilla janë hapi i parë që ndërmarrin vendet kur eksportojnë teknologji të sofistikuar ushtarake dhe ai supozon se ky është rasti edhe këtu.

“Asnjë kompani e industrisë së mbrojtjes me produkte moderne nuk do të vijë në një vend të tretë nëse teknologjia e tyre nuk mbrohet në mënyrë adekuate“, tha Luniç për Radion Evropa e Lirë (RSE).

Qeveria serbe dhe Ministria e Mbrojtjes nuk iu përgjigjën pyetjeve të RSE-së në lidhje me atë që sjell kjo marrëveshje në bashkëpunimin midis dy vendeve. Ministria izraelite e Mbrojtjes gjithashtu nuk iu përgjigj një kërkese për koment deri në kohën kur u publikua ky tekst.

Izraeli nuk është i vetmi vend me të cilin Serbia shkëmben dhe mbron informacionin e klasifikuar.

Beogradi ka marrëveshje të tilla me më shumë se 20 vende dhe organizata ndërkombëtare.

Çfarë u nënshkrua me Izraelin?

Ministritë e Mbrojtjes të Serbisë dhe Izraelit nënshkruan një Marrëveshje të Sigurisë së Përgjithshme mbi Shkëmbimin dhe Mbrojtjen e Ndërsjellë të Informacionit të Klasifikuar në Fushën e Mbrojtjes.

“Objektivat e kësaj marrëveshjeje janë të sigurojnë mbrojtjen e informacionit të klasifikuar që transferohet ose shkëmbehet midis palëve, të sigurojnë mbrojtjen e objekteve, sigurinë e personelit dhe çështje të tjera për të cilat palët bien dakord reciprokisht”, tha përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes, Marko Jovanoviç, në një seancë të Komitetit parlamentar të Mbrojtjes.

Ai nuk specifikoi se për cilat projekte po i referohej, por shtoi se iniciativa për marrëveshjen erdhi nga pala izraelite.

Zbatimi para ratifikimit

Marrëveshja me Izraelin hyri në fuqi përpara se deputetët e Parlamentit serb të votonin për ratifikimin e saj.

Me kërkesë të Qeverisë serbe, Komisioni Parlamentar për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme dha pëlqimin e tij më 29 prill për zbatimin e saj të përkohshëm deri në hyrjen e saj zyrtare në fuqi.

Kjo është ligjërisht e mundur nëse Qeveria përmend si arsye nevojën për zbatim urgjent.

Kur përfaqësuesit e opozitës e pyetën pse po këmbëngulin në procedura urgjente, përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes, Marko Jovanoviç, tha se zbatimi i marrëveshjes do të mundësojë hyrjen në fuqi të kontratës për “pajisjen me armë dhe përmirësimin e aftësive operacionale të Ushtrisë Serbe” sa më shpejt të jetë e mundur.

Ai nuk iu përgjigj pyetjes nëse kjo ka të bëjë me fabrikën e përbashkët të dronëve të paralajmëruar. /tesheshi


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit