E shtunë, 25 Prill 2026

Në Mal të Zi, nga sot, 24 prill, kanë hyrë në fuqi ndryshimet në Ligjin e Punës, të cilat e rikthejnë moshën e pensionimit me detyrim ligjor nga 66 në 67 vjeç. Ky vendim, që ndikon drejtpërdrejt në tregun e punës në rajon, ka nxitur debate të ashpra mes pushtetit dhe opozitës.
“Ndryshimi i Ligjit të Punës, me të cilin mosha e pensionimit rikthehet nga 66 në 67 vjeç, hyn në fuqi. Me këtë i është dalë në ndihmë kërkesave të sindikatave dhe nevojave të tregut të punës”, tha deputeti i Partisë Boshnjake, Mirsad Nurkoviq.
Nurkoviq, njëherësh nënkryetar i Kuvendit, theksoi se motivi kryesor për rritjen e moshës së pensionimit ishte përmbushja e kërkesave të sindikatave dhe nevojave të tregut të punës.
“Ky motiv në fund ndikoi te të gjithë ne që e mbështetëm këtë në Kuvend. Ligji i Punës zbatohet për kompanitë dhe institucionet publike, përveç administratës publike, dhe mendoj se në një masë u përgjigjet sindikatave, por edhe kërkesave të tregut të punës”, u shpreh ai, sipas RTCG-së.
Ai shtoi se ky vendim ndihmon edhe në kompensimin e mungesës së mjekëve në spitale dhe qendra shëndetësore.
Nga ana tjetër, opozita e sheh ndryshe këtë vendim. Nikola Miloviq nga DPS-ja deklaroi se në Mal të Zi po ndodh pikërisht ajo që partia e tij kishte paralajmëruar më herët: rritja e pagave pa rritje të produktivitetit çon në inflacion dhe krijon pabarazi në funksionimin e Fondit të Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore.
“Kur keni financa publike të tensionuara, çdo vit do të rritet edhe mosha e pensionimit. Qytetarët e Malit të Zi në vitet e ardhshme, për shkak të kësaj politike ekonomike, mund të presin vetëm rritje të mëtejshme të kësaj moshe”, theksoi Miloviq.
Ai shtoi se problem mbetet edhe demografia, pasi popullsia e Malit të Zi po plaket.
“Për shkak të plakjes së popullsisë, përveç rritjes së moshës së pensionimit, rriten edhe shpenzimet e Fondit të Shëndetësisë. Kjo do të thellojë deficitin si në fondin e pensioneve, ashtu edhe në atë shëndetësor, duke rritur kostot dhe duke na detyruar të punojmë më gjatë”, shpjegoi ai.
Ndërkohë, Ines Mrdoviq nga Aksioni për Drejtësi Sociale vlerëson se këto ndryshime janë më shumë politike sesa ekonomike.
“Kjo ndryshim i papritur, që kaloi pothuajse pa u vënë re, mund të lidhet me synimin për t’u mundësuar gjyqtarëve të dalin në pension në moshën 67 vjeç. Mendoj se interesi i Qeverisë ishte më i madh në këtë drejtim sesa nevoja për të mundësuar që edhe punonjësit e tjerë të dalin në pension në këtë moshë”, tha Mrdoviq.
Dita e parë e zbatimit të Ligjit të ndryshuar të Punës, që parashikon përfundimin e marrëdhënies së punës në moshën 67 vjeç me të paktën 15 vite stazh, është e premtja, 24 prill.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
