Shoqata e Prokurorëve dënon kërcënimin ndaj prokurorit nga Mitrovica


E enjte, 14 Maj 2026
Shoqata e Prokurorëve dënon kërcënimin ndaj prokurorit nga Mitrovica

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë dhe e ka dënuar ashpër kërcënimin e bërë ndaj prokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Muharrem Prekazi, gjatë ushtrimit të detyrës së tij zyrtare në seancë gjyqësore.

Në një reagim, kjo shoqatë ka thënë se çdo formë e kërcënimit, presionit apo intimidimit ndaj prokurorëve për shkak të ushtrimit të funksionit të tyre kushtetues dhe ligjor paraqet cenim serioz të pavarësisë së sistemit prokurorial dhe sulm të drejtpërdrejtë ndaj sundimit të ligjit.

“Shoqata e Prokurorëve të Kosovës konsideron se siguria dhe integriteti i prokurorëve janë elemente esenciale për funksionimin e pavarur dhe efikas të sistemit të drejtësisë, andaj raste të tilla duhet të trajtohen me prioritet dhe seriozitet të plotë nga institucionet kompetente.”, thuhet në reagim.

Gjithashtu, kjo shoqatë ka shprehur mbështetjen e plotë profesionale dhe institucionale për prokurorin Prekazi, si dhe për të gjithë prokurorët e Republikës së Kosovës, të cilët sipas saj, vazhdojnë të ushtrojnë detyrën e tyre me profesionalizëm, integritet dhe përkushtim, pavarësisht presioneve dhe sfidave me të cilat përballen.

Këtë kërcënim e ka dënuar edhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit. /Klankosova.tv


Burimi: klankosova

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit