E mërkurë, 20 Maj 2026

Kanadaja thirri në konsultim ambasadorin e Izraelit në Otava për shkak të asaj që ministrja e Jashtme Anita Anand e përshkroi të mërkurën si “keqtrajtimi i civilëve” në bordin e Flotiljes Globale Sumud me destinacion Gazën, e cila po transportonte ndihma humanitare për enklavën palestineze të bllokuar, transmeton Anadolu.
“Kam udhëzuar zyrtarët e mi të thërrasin ambasadorin izraelit lidhur me keqtrajtimin e civilëve në bordin e flotiljes”, tha Anand gjatë një konference virtuale për shtyp nga Estonia.
Ajo iu referua një videoje të publikuar nga Itamar Ben-Gvir, ministri izraelit i sigurisë kombëtare dhe partner koalicioni i kryeministrit Benjamin Netanyahu.
“Ajo që kemi parë, përfshirë videon e ndarë nga Itamar Ben-Gvir, është thellësisht shqetësuese dhe absolutisht e papranueshme”, tha Anand.
E pyetur nëse ka marrë përgjigje nga zyrtarët izraelitë, ajo tha se jo, as ajo dhe as zyrtarët e saj.
“Sapo u njoftuam për sjelljen e papranueshme ndaj anëtarëve të flotiljes, ku kishte edhe disa kanadezë, unë i udhëzova zyrtarët e mi të kontaktojnë ambasadorin izraelit”, tha ajo.
Duke theksuar se Kanadaja e merr këtë incident “shumë seriozisht”, ajo shtoi se “bëhet fjalë për trajtimin njerëzor të civilëve dhe mund t’ju siguroj se po veprojmë me urgjencë të plotë”.
Anand gjithashtu vuri në dukje se Ben-Gvir, i cili shfaqet në video, tashmë është sanksionuar nga Kanadaja dhe është i ndaluar të hyjë në vend.
“Mbrojtja e civilëve dhe respekti për dinjitetin njerëzor duhet të respektohen në çdo kohë”, shtoi ajo.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
