Lindja e Mesme e Re: si po ndryshojnë aleancat në rajon


E enjte, 21 Maj 2026
Lindja e Mesme e Re: si po ndryshojnë aleancat në rajon

Riadi, Ankaraja dhe Kajro po rishkruajnë rregullat e gjeopolitikës pa u varur verbërisht nga Uashingtoni

Nga Osama Al-Sharif, Arab News

Lufta e përbashkët SHBA-Izrael kundër Iranit, ka shkaktuar pasoja të thella ushtarake dhe ekonomike që po ndihen nga Riadi në Ankara dhe nga Abu Dhabi në Kajro.

Ndër surprizat më të rëndësishme ishin sulmet e guximshme të Iranit ndaj infrastrukturës civile dhe energjetike të fqinjëve të Gjirit, si dhe mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Teherani, e cila shkaktoi një krizë globale energjetike.

Sulmet amerikane dhe izraelite nuk arritën ta shembnin regjimin iranian, i cili doli më i fortë se më parë, duke e lënë rajonin në një ngërç të rrezikshëm ku arteriet ekonomike mbeten të cenueshme.

Ky konflikt ka shkatërruar supozimin e kahershëm të shteteve arabe se vetëm prania e SHBA-së do ta pengonte Iranin. Edhe pse varësia nga Amerika nuk do të zhduket menjëherë, kriza ka shërbyer si një zile zgjimi, duke nxitur tre ndryshime strategjike.

Së pari, po konsolidohet mbrojtja e përbashkët e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GÇ) me sisteme antidronë dhe mbrojtje ajrore.

Së dyti, po thellohen aleancat rajonale. Arabia Saudite ka aktivizuar një pakt mbrojtjeje me Pakistanin dhe po forcon lidhjet me Turqinë dhe Egjiptin.

Së treti, po synohet një marrëveshje gjithëpërfshirëse mossulmimi me Iranin, sapo të frenohet kërcënimi bërthamor. Këto riorganizime e pranojnë realitetin se SHBA-të do të vazhdojnë kthesën e tyre strategjike drejt Azisë.

Në nivel diplomatik, Arabia Saudite mblodhi një samit urgjent ku u dënuan sulmet iraniane dhe u bë thirrje për qëndrime të unifikuara, të mbështetura fort nga Egjipti dhe Jordania. Kryeqytetet rajonale po eksplorojnë korniza të reja sigurie që shohin drejt një rendi më të qëndrueshëm.

Analistët bien dakord se kjo luftë u nis kryesisht me urdhër të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili dëshiron që Donald Trump të rifillojë sulmet, pavarësisht kostove politike.

Trump nuk u konsultua me aleatët arabë përpara sulmeve të shkurtit ndaj Iranit, ndërsa retorika e Netanyahut për një Lindje të Mesme ku Izraeli është fuqia dominuese, gjen një jehonë shumë të pakëndshme në Riad, Kajro dhe Ankara.

Ajo që po lind nga kjo krizë është një Lindje e Mesme post-amerikane dhe e shumëanshme: më transaksionale, më e pavarur dhe më pak e parashikueshme. Shtetet rajonale do të duhet të negociojnë me Iranin bazuar në respektin për sovranitetin dhe lirinë e lundrimit, ku SHBA-të do të mbeten partnere, por jo më garantuese.

Ekspertët sugjerojnë se shtetet e Gjirit duhet të ndalojnë së trajtuari sigurinë si një mall dhe të ndërtojnë kapacitete politike vetjake. Një traktat i mundshëm midis Gjirit, SHBA-së dhe Iranit mund të parashikojë tërheqjen graduale ushtarake amerikane në këmbim të kufizimeve të rrepta në programin bërthamor dhe raketor të Teheranit.

Vetë deklaratat e Trump se SHBA-ja nuk varet më nga nafta e rajonit, nënvizojnë urgjencën e një kuadri të ri sigurie, ku qëndrimi strategjik i Arabisë Saudite shënon një fillim premtues. tesheshi


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit