E shtunë, 30 Maj 2026

Barcelona nuk heq dorë nga Julian Alvarez dhe po përgatit një ofertë të re rekord për sulmuesin argjentinas, e cila sipas gazetares Veronica Brunati mund të arrijë deri në 135 milionë euro.
Klubi katalanas ka intensifikuar përpjekjet për transferimin e yllit të Atletico Madridit, pasi oferta e parë prej 100 milionë eurosh u refuzua menjëherë nga drejtuesit e klubit madrilen.
Sipas raportimeve, drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, tashmë ka nisur negociatat zyrtare me përfaqësuesit e lojtarit dhe me zyrtarët e Atletico Madridit, me synimin për të arritur një marrëveshje sa më shpejt.
Objektivi i të gjitha palëve është që e ardhmja e Alvarez të sqarohet para nisjes së Kampionatit Botëror, ndërsa Barcelona po shton besimin se transferimi mund të realizohet.
Kjo pasi sulmuesi argjentinas raportohet se ua ka bërë të qartë drejtuesve dëshirën e tij për t’iu bashkuar Barcelonës gjatë afatit kalimtar veror.
Mediat spanjolle raportojnë se kushtet personale mes lojtarit dhe Barcelonës nuk përbëjnë pengesë, ndërsa shuma e transferimit mbetet çështja kryesore që duhet të zgjidhet mes dy klubeve.
Burimi: 04online
