Haxhiu kërkon hetime ndaj zyrtarëve të përfshirë në rastin e Arlinda Zekajt


E hënë, 2 Nëntor 2026
Haxhiu kërkon hetime ndaj zyrtarëve të përfshirë në rastin e Arlinda Zekajt

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë ka folur për Komisionin Hetimor i cili u formua pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Ajo ka thënë se pret që të gjithë dëshmitarët që janë në listën e komisionit të shkojnë dhe të përgjigjen në kërkesat e tij.

Sipas saj, është e rëndësishme që Prokuroria, pa vonesa, të fillojë hetimet penale në raport me të gjithë zyrtarët e përfshirë.

Haxhiu ka kërkuar angazhim të Prokurorisë Speciale, për siç ka thënë ajo, hetim për veprimet e gabuara apo mosveprimet e secilit zyrtar të përfshirë në rast.

“Gjatë kohës sa jemi këtu, tashmë komisioni hetimor po mban takimin e parë për të vlerësuar pretendimet në të gjitha procedurat për vrasjen tragjike të Arlinda Zekajt. Unë do të jem në dispozicion të plotë për t’i trajtuar kërkesat e komisionit. Unë pres që të gjithë dëshmitarët që janë në listën e dëshmitarëve të vijnë dhe të përgjigjen në kërkesat e komisionit. Padyshim që Prokuroria do të duhej të merrej me këtë rast. Do të duhej që Prokuroria Speciale të jetë e angazhuar për mosveprimet apo veprimet e gabuara të secilit zyrtar”, ka thënë ajo.

Sipas Haxhiut, Komisioni hetimor është vetëm një mekanizëm shtesë që do të përpilojë një dokument dhe do ta delegojë në prokurorinë përgjegjëse për çka ka thënë se uron të jetë Prokuroria Speciale.

Tutje ka kritikuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Komunën e Pejës për mosveprim në raport me marrjen e masave ndaj zyrtarëve përgjegjës.

“Unë vlerësoj faktin që tani janë suspenduar kryeprokurorja, prokurorja e rastit dhe 11 policë. Mbetem me shqetësim se pse Këshilli Gjyqësor i Kosovës ende nuk ka vepruar dhe as Komuna e Pejës. As kryetari i komunës, as drejtoria përkatëse për Mirëqenie nuk kanë vepruar në raport me marrjen e masave ndaj zyrtarëve përgjegjës. Ky rast duhet të na shërbejë që asnjëherë në të ardhmen të mos kemi zyrtarë që nuk e kryejnë detyrën e tyre”, ka thënë ajo.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit