E enjte, 12 Nëntor 2026

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në takimin e Komunitetit Politik Evropian (EPC), që po mbahet në Dublin të Irlandës, ku është pritur nga kryeministri irlandez, Micheal Martin.
Në deklarimin e tij për media, Kurti ka falënderuar Martinin për ftesën dhe mikpritjen, ndërsa ka shprehur pritjet që Irlanda ta mbështesë Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian.
“Jam shumë i lumtur të kthehem në Dublin pas tre vjetësh e gjysmë, dua të falënderoj Taoiseach (kryeministrin) Micheál Martin për ftesën dhe mikpritjen. Irlanda është rrëfim i shkëlqyeshëm suksesi i integrimit Evropian dhe anëtarësimit. Republika e Kosovës gjithashtu dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por për të arritur aty së pari duhet të marrim statusin e vendit kandidat dhe të hapim negociatat për anëtarësim. Ne llogarisim në presidencën Irlandeze. Dhe, duam të falënderojmë popullin e Irlandës për strehimin e më shumë se një mijë refugjatëve shqiptarë të Kosovës më 1999, kur u dëbuan nga mëmëdheu i tyre për shkak të gjenocidit të forcave të armatosura të Serbisë së Millosheviçit dhe Jugosllavisë. Gjithashtu, dua të falënderoj ushtarët dhe oficerët irlandezë, të cilët kanë shërbyer në KFOR përgjatë këtyre më shumë se dy dekadave e gjysmë, për të siguruar paqe, siguri e mbrojtje për të gjithë qytetarët e vendit tim”, ka thwnw Albin Kurti.
“Është shumë e rëndësishme që liderët të takohen së bashku, të diskutojnë dhe harmonizojnë qëndrimet e tyre në një kohë kur agresioni rus në Ukrainë po vazhdon dhe me luftën kinetike, sulme në infrastrukturën kritike dhe luftën hibride po shkon përtej agresionit në Ukrainë. Kështu që, mendoj se EPC ndihmon, sepse mblidhen liderët dhe bashkojnë forcat”, shtoi kreu i Qeverisë së Kosovës.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
