Ky është fitili tashmë i ndezur i destabilitetit në Shqipëri


E hënë, 1 Korrik 2019

Autor: Bujar NISHANI

Sot më 1 korrik të vitit 2019, demokracia, modeli politik, dinjiteti i shtetit dhe qytetarit në Shqipëri janë gdhirë të goditur rëndë dhe poshtëruar djallëzisht.

Kjo përdhosje e Republikës sonë dhe ky minim i rëndë, për pushtet personal, ndaj sistemit politik dhe shoqëror ka hyrë tashmë në fletët më të zeza të historisë së shqiptarëve e do të mbetet aty përjetë si një prej vandalizmave më të shfrenuar ndaj kores së ekzistencës së këtij vendi dhe do të përmendet gjithmonë si një turp barbarësh.

Sot, rendi politik, shoqëror dhe social i Shqipërisë ka hyrë në një destabilitet të rëndë, afati i të cilit nuk dihet se sa do të zgjasë dhe pasojat e të cilit janë sa të pa parashikueshme aq dhe fatale për këtë vend.

Projektuesi dhe prodhuesi i këtij destabiliteti, pushteti aktual në Shqipëri, ka deklaruar se këtë “status quo”, do ta mbrojë me forcën e dhunës së policisë dhe shtetit paralet të grupeve të krimit të organizuar e të financuara nga pushteti.

Ky është fitili tashmë i ndezur i këtij destabiliteti në Shqipëri, më i rëndi që prej vitit 1990.

Vjedhja e zgjedhjeve përmes grupeve të krimit të organizuar,
Procedura e përdorur për emërimin e Prokurorit të “përkohshëm” të Përgjithshëm,
Kapja politike me militantë ekstremistë partiak të organeve të krijuara të vetingut dhe emërimeve në sistemin e drejtësisë,
Bashkëjetesa e hapur e një qeverie me krimin e organizuar dhe ndarja e pushtetit me të,
Vjedhja me VKM dhe ligje nominale e buxhetit të qytetarëve më të varfër në Europë,
Grabitja pa maska e pronave publike e private dhe dhurimi i tyre financuesve të blerjes së zgjedhjeve dhe trafikantëve të drogës,
Lirimi nga burgjet e vrasësve seriale dhe përdorimi i tyre për të kërcënuar dhe shantazhuar oponentët politik të qeverisë,
Injorimi dhe përqeshja e përcaktimeve dhe kufizimeve kushtetuese dhe ligjeve mbi “checks e balances” midis pushteteve dhe institucioneve kushtetuese,
Ngritja në sistem e funksionimit të politikës, shtetit, shoqërise, pushteteve mbi kulturën e parave të pista përfituar nga trafiku i drogës dhe vjedhjes së buxhetit publik,
Bllokimi i hetimit dhe gjykimit penal të skandaleve dhe përfshirjeve kriminale të pushtetarëve,
Kthimi i kultivimit të kanabisit dhe rrugëve të transportit të kokaines e heroinës në politika qeveritare,
Ndalimi i dhunshëm i pjesmarrjes së opozitës në komisionet e votimit,
Kthimi i policisë së shtetit në një organizatë politike anti-opozitë dhe anti-komunitare,
Arrestimi i deputetëve dhe drejtuesve të lartë të opozitës,
Shkarkimi i dhunshëm i kryebashkiakut të Vaut të Dejes, etj., etj.,
përbëjnë modelin dhe precedentin më skandaloz, të rrezikshëm dhe destabilizues të Republikës së Shqipërisë.

Por, aq sa i rëndë është ky model po aq i kushtueshëm dhe fatal do të jetë si bumerang nesër mbi autorët e krijimit të tij.

Sot më 1 korrik 2019, Partia Mëmë rilindi bashkë me rregjimin e saj monist.
Tashmë një rregjim jo mbi bazën e ideologjisë bolshevike por mbi dhunën e krimit të organizuar dhe vjedhjes së pasurive marramendëse nga xhepi i shqiptarëve.

Asnjë instrument pushteti i prodhuar jo vetëm artificialisht por dhe në dhunim të vullnetit të popullit nuk do të mund të ekzistojë dhe funksionojë dot.
Kjo është ligjësi historike e njerëzimit që nuk e ndryshon dot asnjë qënie humane sado nën mutacionin e një monstre qoftë ai.

I gjithë ky model i përçudnuar dhe ngritur në sistem, siç u konfirmua më 30 qershor mbështetet dhe mbahet në këmbë nga pakica e shqiptarëve dhe nga një grusht bandash të krimit të organizuar.
Në këtë rregjim, beteja e opozitës dhe shqiptarëve për shtetin normal dhe të së drejtës nuk mund të jetë vetëm për një proçes zgjedhjesh të lira dhe demokratike, por ajo nis me to.
Ajo është një betejë që nuk përmbyllet brenda një nate dhe as me një përballje.
Guximi, besimi, mënçuria dhe popullariteti ndaj kauzës janë po aq me vlerë dhe të rëndësishme sa kauza vetë.
Sot më 1 korrik 2019 vijon me më shumë motiv beteja qytetare me rregjimin !

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Etiketa:
Të fundit