E hënë, 21 Dhjetor 2015
Prishtinë – Kryeministri Isa Mustafa sot gjatë përurimit të një segmeti të rrugës nacionale N2, Prishtinë – Mitrovicë, ka folur edhe zhvillimet e fundit në vend, duke përfshirë edhe liberalizimin e vizave.
Ai me këtë rast ka thënë se Kosova i ka përmbushur edhe ato 8 kritere që i kërkon BE-ja para se të vendos për heqjen e vizave për Kosovën.
Kreu i qeverisë ka thënë se që nesër do të ketë takim ku do të bëhet vlerësimi i secilit nga 8 kriteret e mbetura.
Ndërsa, për akuzat e Opozitës, se mosliberalizimi i vizave po ndodhë shkaku i korrupsionit, Mustafa ka thënë se me ardhjen e tij në krye të ekzekutivit, kjo dukuri është zvogëluar dukshëm.
Kurse akuzat e Opozitës kryeministri Mustafa i ka cilësuar si diçka e zakonshme pasi sipas tij Opozita atë punë ka, që të kritikojë. “Opozita duhet të thotë diçka sepse është opozitë”.
Mustafa ka folur edhe për djegien e veturave zyrtare, gjë për të cilën tha se organet e hetuesisë duhet t’i zbardhin sa më parë këto raste, që ato të ndalen.
Kurse se do t’i permbahet marreveshjes së koalicionit PDK-LDK, kreu i kësaj të fundit tha se zëvendësi i tij në qeveri, Hashim Thaçi do të jetë president i Kosovës. “Zotohem se marrëveshja PDK-LDK do të zbatohet”.
Etiketa: Isa Mustafa, Kosova, Kryeministri, Liberalizimi