E enjte, 23 Prill 2026

Për shumë udhëtarë, procesi i nisjes nga një aeroport ndërkombëtar është një rutinë mekanike: regjistrimi, kontrolli i sigurisë dhe pritja te porta.
Megjithatë, pas kësaj rrjedhshmërie fshihet një rrjet kompleks tarifash dhe taksash nisjeje që shpesh kalojnë pa u vënë re, pasi janë të përfshira direkt në koston e biletës ajrore.
Por siç e tregon përvoja e fotografit Kevin Miller në Bali, ky sistem nuk është gjithmonë i padukshëm. Në vitin 2013, Miller dhe bashkëshortja e tij humbën fluturimin e tyre pasi në momentin e fundit iu kërkua të paguanin një tarifë nisjeje në para në dorë.
Në kushtet kur sportelet e këmbimit ishin të mbyllura dhe bankomatet jashtë funksioni, atij iu desh ndihma e një turisti tjetër për të dalë nga situata.
Ky rast, ndonëse i rëndë, nxjerr në pah një realitet global: udhëtimi ajror është i ngarkuar me taksa që shpesh shërbejnë për mirëmbajtjen e infrastrukturës, por që rëndojnë mbi xhepat e pasagjerëve.
Sipas raportit të fundit të Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA), aeroportet në mbarë botën mblodhën rreth 60.4 miliardë dollarë nga këto tarifa në vitin 2024, me një mesatare prej 6.80 dollarësh për pasagjer.
Shumat variojnë ndjeshëm sipas rajoneve. Amerika e Veriut mban tarifat më të larta, ndërsa Azia-Paqësori ato më të ulëtat. Në vitin 2024, Argjentina kryesoi listën me një tarifë mesatare prej 138 dollarësh për pasagjer, e ndjekur nga vende si Meksika, Britania e Madhe dhe SHBA.
IATA i kritikon këto taksa si “regresive”, duke argumentuar se ato dëmtojnë objektivat ekonomike dhe sociale duke vendosur një barrë të panevojshme mbi publikun, pa kontribuar domethënës në buxhetet shtetërore.
Gjatë viteve pas pandemisë, këto tarifa janë bërë mjet për të menaxhuar mbi-turizmin. Për shembull, Japonia aplikon një “taksë sayonara” prej rreth gjashtë dollarësh dhe ka plane për ta trefishuar atë së shpejti.
Nga ana tjetër, vende si Suedia i kanë hequr këto taksa për të inkurajuar udhëtimet me tren ose traget, duke synuar reduktimin e emetimeve të karbonit nga fluturimet e shkurtra.
Profesoresha Anna Abelson nga Universiteti i Nju Jorkut thekson se udhëtarët zakonisht nuk e kanë problem pagesën, nëse e dinë saktësisht se ku shkojnë paratë e tyre.
Ajo sjell shembullin e Palaut, ku taksa është e lidhur me një “betim mjedisor” që vizitorët nënshkruajnë në pasaportë, duke premtuar mbrojtjen e natyrës së ishullit. Në fund të fundit, çelësi është transparenca.
Kur taksat mblidhen personalisht dhe pa paralajmërim, ato krijojnë “fërkime” dhe lënë një shije të hidhur te turistët.
Për industrinë e udhëtimeve, sfida mbetet balancimi i nevojës për fonde infrastrukturore me dëshirën për të ofruar një përvojë sa më të thjeshtë dhe të ndershme për pasagjerin global. /tesheshi.com/
Burimi: tesheshi
