E enjte, 23 Prill 2026

Në rast i kontrabandimit me mallra në zonën kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, është parandaluar këtë të enjte nga Policia e Kosovës, në kuadër të planit “Mburoja e hekurt”.
Rasti ka ndodhur në zonën malore në mes të fshatit Radush dhe rrugës që lidh fshatin Goranc me Hanin e Elezit, transmeton Klankosova.tv.
Sipas njoftimit zyrtar, njësitet policore kanë identifikuar një automjet, drejtuesi i të cilit ka tentuar të largohet nga njësia policore së bashku me një pasagjer.
“Mirëpo automjeti është arritur të ndalohet nga zyrtarët policorë, me ç’rast është arrestuar njëri nga të dyshuarit shtetas i Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur dhe janë sekuestruar mallra të ndryshme, vlera e të cilave sipas vlerësimeve fillestare tejkalon dhjetëra mijëra euro, për të cilat i dyshuari nuk posedonte dokumentacion përkatës mbi prejardhjen.
Pas konsultimit me prokurorin kompetent, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa malli dhe automjeti janë konfiskuar si dëshmi materiale në procedurë penale.
Burimi: klankosova
