E hënë, 17 Gusht 2026

Në një pasdite me shi në Dublin, në vitin 2017, po vonohesha për të parë një film.
Do të shihja Logan, kapitullin e fundit të sagës së Wolverine-it nga Marvel, dhe mbërrita në kinema pikërisht kur filmi ishte gati të fillonte. Ishte paralajmëruar si historia e një heroi ngurrues, të cilit nuk i kishte mbetur asgjë për të besuar. Vanity Fair e kishte cilësuar si një goditje të fuqishme e të dhunshme — të papërpunuar dhe të vërtetë.
Si do të dukej sikur gjithçka të të hiqej dhe të të mbetej vetëm dhimbja e së tashmes? Kjo më ngjalli kureshtjen.
Vrapova drejt kioskës elektronike për të marrë një biletë në minutën e fundit. Rrëmbeva një nga vendet e pakta të mbetura, pranë korridorit, dhe u nisa me vrap drejt sallës.
Brenda, 150 vetë rrinin ulur në errësirë duke parë trailerin e Star Wars. Vendi im ishte në korridorin e anës tjetër. Nuk doja të kapërceja mbi njerëzit, ndaj mendova të vrapoja poshtë ekranit, në pjesën e përparme të sallës, dhe të ngjitesha nga shkallët në krahun tjetër. Shpejt. I padukshëm. E thjeshtë. Rregullova kapelen, u përkula për ta mbajtur kokën ulët dhe vrapova poshtë ekranit.
Por në anën tjetër nuk kishte korridor. Vetëm një mur betoni — dhe unë u përplasa drejt e në të.
Përplasja më rrëzoi përtokë. Për ta bërë punën edhe më keq, pikërisht në çastin e goditjes, në ekran shpërtheu traileri i Smurfëve. Një shtëpi-kërpudhë blu e ndritshme u shfaq në ekran, duke më vënë nën projektorë përballë gjithë publikut.
Salla shpërtheu në valë të gjata të qeshurash. Mora kapelen e rrëzuar dhe e ndreqa, sikur kjo të kishte ndonjë rëndësi. I trullosur dhe me sedrën e lënduar (e ndoshta jo vetëm sedrën), u ktheva zvarrë drejt dyerve nga kisha hyrë.
Më pëlqen ta mendoj veten si një njeri relativisht të zgjuar. Si munda të përplasesha drejt e në një mur të madh betoni?
Përgjigjja gjendet te neuroshkenca. Shumica prej nesh mendojnë se shqisat mbledhin të dhëna, ua dërgojnë trurit dhe më pas ne reagojmë. Por një trup i gjerë kërkimesh sugjeron se punët nuk shkojnë ashtu.
Truri yt është një kumarxhi i pandreqshëm që vë baste mbi realitetin. Ai nuk pret informacionin. Ai hamendëson se çfarë duhet të ndodhë dhe përshtatet kur befasohet. Shumica e basteve fitojnë. Por kur nuk fitojnë, ti përplasesh nëpër mure.
Gjithçka nis me një parashikim — një pritshmëri “nga lart-poshtë” e asaj që truri mendon se do të shohë. Më pas, të dhënat shqisore që vijnë “nga poshtë-lart” ose e konfirmojnë këtë parashikim, ose e përditësojnë kur gjërat nuk përputhen. Kjo njihet si teoria e përpunimit parashikues.
Në vitin 1999, Rajesh Rao dhe Dana Ballard ndërtuan një model kompjuterik që funksiononte njësoj si truri. Ata zbuluan se zonat e rendit më të lartë të trurit fillimisht bënin parashikime për atë që prisnin të shihnin dhe i dërgonin ato poshtë hierarkisë. Vetëm kur diçka nuk përputhej me parashikimin — ajo që ata e quajtën “gabim parashikimi” — nivelet më të ulëta jepnin alarmin dhe e dërgonin informacionin sërish lart hierarkisë.
Kur truri hamendëson saktë, nuk ka nevojë të vësh re asgjë. Kur hamendëson gabim — si kur ngatërron një mur me një korridor — sistemi ndizet i tëri. Nuk është se unë nuk e pashë murin me sytë e mi. Është se truri im nuk e priste kurrë që ai të ishte aty.
Kjo ndodh vazhdimisht me njerëzit kur përpiqen të zgjidhin probleme, kur bisedojnë dhe kur marrin vendime. Propagandisti i brendshëm — agjenti i dyfishtë brenda nesh — drejton gjithë shfaqjen.
E vërteta është çfarëdo parashikimi që nuk arrin të vërtetohet i gabuar.
Truri përballet me një botë plot të dhëna dhe mesazhe të dykuptimta. Ai bën parashikimet më të mira të mundshme në çastet e pasigurisë. Ne, natyrisht, nuk e kuptojmë se po hamendësojmë. Truri i mbush boshllëqet duke përdorur përvojat e kaluara dhe kontekstin për të përcaktuar se çfarë duhet të jetë aty.
Koj ëshët asryeja pes mnud ta kputosh këtë fjlai ehde pes fjlaët jnaë të pëzriera. Oh, dhe më pëqlen buëzqeshja jtoe.
Mund ta shkruaja gjithë librin kështu dhe ti do të arrije ta kuptoje. Por do të ishte e dhimbshme për t’u lexuar dhe, me siguri, pas kësaj do të më uroje vdekjen.
Por thelbi mbetet: Ti nuk sheh fillimisht e pastaj beson. Ti beson fillimisht e pastaj sheh. Në shumicën e rasteve, kjo funksionon mrekullisht. Por herë pas here ndodh një defekt.
A të ka qëlluar ndonjëherë t’i bësh me dorë dikujt që nuk ishte aty? Ndoshta po ecje rrugës dhe pe një mik. Buzëqeshe. Ndoshta madje ngrite dorën. Dhe pastaj e kuptove… nuk ishte ai.
Ky është një shembull i asaj që përjetohet si halucinacion pozitiv — një çast kur truri yt sheh diçka që nuk ekziston, sepse pret që ajo të jetë aty. Kur ti i shton diçka skenës përreth teje.
Truri përballet me një botë plot të dhëna dhe mesazhe të dykuptimta. Ai bën parashikimet më të mira të mundshme në çastet e pasigurisë.
Ekzistojnë edhe halucinacionet negative — kur ti nuk sheh atë që është aty. Kur truri yt i ka fshirë gjërat që ke përpara syve.
“Nuk janë mbi tavolinë. Pse nuk më thua njëherë ku i ke vënë… lëre fare, i gjeta.”
Propagandistët tanë të brendshëm punojnë 24 orë në ditë, duke mbushur boshllëqe, duke fshirë gjëra dhe duke na shitur iluzionin se ne, në fakt, po e shohim botën ashtu siç është.
Perceptimet janë parashikime. Edhe besimet janë parashikime. Atëherë, pse besojmë në radhë të parë? Përgjigjja e thjeshtë është: sepse është diçka që kemi nevojë ta bëjmë.
Propaganda të premton një të ardhme më të mirë. Të premton se gjithçka do të rregullohet. “Beso te udhëheqësi. E kemi gjithçka nën kontroll.” Dhe ashtu, sakaq, ne marrim frymë të lehtësuar.
Propaganda e Brendshme luan të njëjtën lojë.
Ajo punon në prapaskenë për të qetësuar stuhinë përbrenda. Ushqehet nga nevojat tona më të thella për siguri dhe qëndrueshmëri.
Mes viteve 2010 dhe 2019, ekipi i Jeremy Clifton-it në Universitetin e Pensilvanisë hartoi botëkuptimet më të thella të njerëzimit. Duke gërmuar nëpër postime në rrjete sociale, tekste fetare, romane, fjalime dhe vepra filozofike, në kërkim të shprehjeve si “Bota është…”, ata nxorën 26 besime primare thelbësore për botën.
Në krye të listës qëndron një besim zotërues: A është bota e mirë apo e keqe? Kjo thjerrëz filtron gjithçka.
Poshtë saj shtrihen disa përmasa të tjera, ndër to: e sigurt kundrejt e rrezikshme dhe joshëse kundrejt e mërzitshme. Këto përgjithësime na ndihmojnë ta thjeshtojmë botën dhe na ofrojnë një mënyrë për të interpretuar informacionet apo përvojat e dykuptimta që hasim. Udhëheqësit që e shohin botën si të mirë dhe të sigurt priren të gëzojnë më shumë besim dhe t’u japin fuqi të tjerëve. Ata që shohin rrezik apo mërzi, udhëheqin përmes kontrollit dhe frikës.
Ndërsa qeniet njerëzore evoluan gjatë mijëra vjetëve, besimet u bënë shtysat e sjelljes sonë. Nëse bën X, atëherë do të ndodhë Y.
I gjithë përparimi njerëzor mbështetet mbi këtë ide. Trurët tanë udhëhiqen nga një mision themelor: të na mbajnë gjallë. Për ta arritur këtë, ata evoluan duke i dhënë përparësi mbijetesës mbi gjithçka tjetër. Ata kanë etje për dy nevoja thelbësore: siguri dhe qëndrueshmëri. Siguria ka të bëjë me shmangien e rrezikut. Qëndrueshmëria ka të bëjë me mbajtjen e gjërave sa më të thjeshta. Problemi është se optimizimi për këto dy nevoja mund të të çojë drejt pikave të verbra mendore, vendimeve të gabuara — e ndonjëherë edhe drejt mureve prej betoni. Ta kuptosh këtë është çelësi i parë për ta fuqizuar trurin tënd që të bëjë zgjedhje më të mira.
Marrë nga Bigthink.com. Solli në shqip Tesheshi.com
Owen Fitzpatrick është psikolog social. Ka studiuar shkencën e ndikimit në Harvard dhe MIT dhe e ka hulumtuar propagandën nga afër në Korenë e Veriut, Ruandë dhe Afganistan. Fjalimi i tij në TEDx është parë më shumë se 1.4 milionë herë dhe ka mbajtur ligjërata kryesore e trajnime lidershipi për organizata si Google, LinkedIn, Citibank, Morgan Stanley dhe Coca-Cola në 33 vende. Regjisor dhe rrëfimtar i vlerësuar me çmime, ai është edhe autori i librit Inner Propaganda (Propaganda e Brendshme).
Burimi: tesheshi
