Wednesday, August 26th 2026

Një nga eklipset diellore më spektakolare të dekadës do të ndodhë më 2 gusht 2027, ndërsa ekspertët këshillojnë që udhëtimet të planifikohen që tani. Faza e totalitetit do të zgjasë më shumë se gjashtë minuta dhe eklipsi do të jetë i dukshëm nga disa prej destinacioneve më të njohura të Afrikës dhe Lindjes së Mesme.
Nëse eklipsi total diellor i ditëve të fundit ju ka zgjuar kureshtjen për të parë një tjetër spektakël qiellor, atëherë 2 gushti i vitit 2027 mund të jetë data që duhet shënuar në kalendar.
Një eklips total diellor do të përshkojë një pjesë të madhe të Mesdheut, Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme. Sipas ekspertëve, ai pritet të jetë një nga eklipset më mbresëlënëse të viteve të ardhshme, pasi faza e totalitetit do të zgjasë më shumë se gjashtë minuta.
Dr. Ryan French, astrofizikan diellor në Laboratory for Atmospheric and Space Physics në Boulder, Kolorado, e cilëson këtë ngjarje si një prej atyre që nuk duhen humbur.
“Ky është eklipsi që duhet parë, sepse do të jetë më i gjati që do të përjetojmë gjatë pjesës së mbetur të jetës sonë”, është shprehur ai.
Brezi i totalitetit do të kalojë përmes jugut të Spanjës, Gjibraltarit, Marokut, Algjerisë, Tunizisë, Libisë, Egjiptit, Arabisë Saudite, Somalisë dhe Jemenit.
Për më tepër, trajektorja e eklipsit do të kalojë drejtpërdrejt mbi disa prej vendeve më të famshme turistike në botë.
Në Egjipt, eklipsi do të jetë i dukshëm mbi Luginën e Mbretërve në Luksor dhe Piramidën e Madhe të Gizës, ndërsa në Arabinë Saudite trajektorja do të kalojë mbi Mekë.
Një tjetër avantazh për turistët është moti. Sipas French, pjesa më e madhe e trajektores kalon nëpër zona shkretinore, ndaj kushtet atmosferike në muajin gusht pritet të jenë kryesisht të favorshme për vëzhgimin e eklipsit.
Hotelet mund të rezervohen shumë më herët se fluturimet
Interesi për eklipset totale diellore shpesh shkakton rritje të menjëhershme të kërkesës për akomodime në zonat nga ku mund të shihet totaliteti.
Pikërisht për këtë arsye, French këshillon udhëtarët që të planifikojnë paraprakisht.
“Brezat e eklipseve janë relativisht të ngushtë, ndaj zakonisht janë hotelet dhe akomodimet ato që mbushen dhe shtrenjtohen shumë më herët se fluturimet”, ka paralajmëruar ai.
Eklipsi do të shihet pjesërisht në shumë vende
Edhe ata që nuk ndodhen në brezin e totalitetit do të kenë mundësi ta shohin fenomenin.
Një eklips i pjesshëm diellor do të jetë i dukshëm në pjesën më të madhe të Evropës, në zona të mëdha të Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Azisë Juglindore, si edhe në Kanadanë lindore dhe në veri të Maine në SHBA.
Ndërkohë, në SHBA, një eklips total diellor do të shihet sërish më 30 mars 2033, por vetëm në Alaskë.
Për pjesën kontinentale të SHBA-së, pritja do të jetë edhe më e gjatë. Eklipsi total i radhës do të ndodhë më 22 gusht 2044, ndërsa një tjetër eklips që do të përshkojë vendin nga njëri breg në tjetrin do të ndodhë më 12 gusht 2045.
Australia, destinacioni i ardhshëm për gjuetarët e eklipseve
Sipas French, Australia do të jetë një prej vendeve më interesante për adhuruesit e këtyre fenomeneve astronomike.
Vendi do të përjetojë katër eklipse totale brenda një periudhe 10-vjeçare, duke nisur nga viti 2028, dhe disa prej tyre do të kalojnë pranë qyteteve të mëdha.
22 korrik 2028: Australi dhe Zelandë e Re
25 nëntor 2030: Namibi, Botsvanë, Afrikë e Jugut, Lesoto dhe Australi
20 mars 2034: Nigeri, Kamerun, Çad, Sudan, Egjipt, Arabinë Saudite, Iran, Afganistan, Pakistan, Indi dhe Kinë
2 shtator 2035: Kinë, Koreja e Veriut, Koreja e Jugut dhe Japoni
13 korrik 2037: Australi dhe Zelandë e Re
26 dhjetor 2038: Australi dhe Zelandë e Re
Për ata që duan ta përjetojnë nga afër një prej fenomeneve më të rralla astronomike, 2 gushti 2027 mund të jetë një nga mundësitë më të mira të dekadës.
Source: prizrenpost




